Lidhje

Mianmari hapi epokën e re të demokracisë


Mianmari filloi një kapitull të ri të historisë të hënën kur parlamenti i zgjedhur në mënyrë demokratike u mblodh në seancën e parë duke i dhënë fund zyrtarisht një gjysëmshekulli të sundimit ushtarak me dorë të hekurt.

Udhëheqësja demokrate, Aung San Suu Kyi, udhëhoqi ligjvënësit e zgjedhur nga partia e saj, Lidhja Kombëtare për Demokraci në dhomat e parlamentit në kryeqytetin e vendit Naypyitaw, ende nën shkëlqimin e fitores në zgjedhjet e muajit nëntor.

Lidhja Kombëtare mundi partinë e Bashkimit për Solidaritet e Zhvillim të mbështetut nga ushtria, duke fituar 80 për qind të vendeve në të dyja dhomat e parlamentit.

Seanca e bën realitet një moment të vonuar që nga viti 1990 kur ushtria i mohoi Lidhjes Kombëtare pushtetin, pasi që partia fitoi zgjedhjet e fundit të mbajtura në mënyrë demokratike në Mianmar, e cila është e njohur edhe si Birmania.

Parlamenti i ri duhet të zgjedh kryetarin dhe nënkryetarin gjatë seancës së të hënës.

Win Mynt, një bashkëpunëtor i ngushtë i Aung San Suu Kyi, pritet të zgjidhet kryetar, ndërsa T Khun Myat, anëtar i partisë së mundur, pritet të emërohet në postin e nënkryetarit.

Ligjvënësit do të zgjedhin presidentin e ri që do të trashëgojë Thein Sein, një ish gjeneral i cili imponoi një sërë reformash demokratike, si udhëheqës i qeverisë kuazi-civile që mori pushtetin nga junta ushtarake në vitin 2011.

Aung San Suu Kyi me kushtetutë e ka të pamundur të shërbej në post, meqë djemtë e saj janë britanik sikundërishte edhe burri i saj i ndjerë.

Fituesja e Nobelit për paqe, tha se do të përfshijë në kabinetin e ri të paktën një anëtar të partisë Bashkimi për Solidaritet dhe Zhvillim, sikurse edhe pjesëtarët e pakicave kombëtare që janë ankuar se janë lënë anash pushtetit.

Me gjithë fitoren e saj të thellë, Lidhja Kombëtare duhet të krijojë lidhje të ngushta pune me ushtrinë e cila automatikisht kontrollon 25 për qind të ulëseve në parlament sipas kushtetutës së vitit 2008 dhe kontrollon disa nga pozitat kryesore në qeveri, përfshirë mbrojtjen, punët e brendshme dhe sigurinë e kufijve.

XS
SM
MD
LG