Lidhje

Uashingtoni shqyrton marrëdhëniet me Mianmarin


Dhuna që ka detyruar afro 380 mijë myslimanë Rohinga të largohen nga pjesa perëndimore e Mianmarit po bën që Uashingtoni të shqyrtojë marrëdhëniet me qeverinë thuajse tërësisht ushtarake të atij vendi. Siç na njeh materiali në vazhdim, kriza humanitare madje po ndikon edhe tek marrëdhëniet e ngushta të Uashingtonit me ikonën e hershme për demokracinë në Mianmar, Aung San Suu Kyi.

Qindra mijëra myslimanë rohinga mbërrijnë në Bangladesh. Ata po largohen nga Mianmari me shumicë budiste, eksod që Kombet e Bashkuara e quajnë spastrim etnik. Qeveria e Mianmarit i hedh poshtë akuzat dhe thotë se dhuna është vepër e kryengritësve rohinga.

Kjo tregon se tanzicioni i Mianmarit nga junta ushtarake drejt demokracisë mund të ketë dalë nga binarët, duke shkaktuar reagime në Uashington. Senatori demokrat Ben Cardin thotë se:

“Qeveria e Birmanisë duhet t’i japë fund krizës. Administrata amerikane mund ta bëjë të qartë se këto veprime janë të palejueshme.”

Shumë kritika janë përqendruar edhe ndaj udhëheqëses de fakto të Mianmarit, Aung San Suu Kyi.

Aktivistja e vjetër për demokraci – tani është objektiv i dënimit ndërkombëtar mbi çështjen e popullsisë rohinga. Analisti Joshua Kurlantzick foli me skype për Zërin e Amerikës.

“A mund ta ndalojë ushtrinë Suu Kyi? Ndoshta jo. Por mendoj se ka veprime që ajo mund të ndërmarrë, nëse do të dëshironte.”

Madje, edhe nëse është e pafuqishme të ndalojë masakrën, shumë duan që ajo të paktën ta pranojë problemin. Nga ana tjetër, laureatja e Çmimit Nobël për Paqen, e ka minimizuar çështjen, dhe në disa raste e ka portretizuar popullsinë rohinga si kërcënim, thotë aktivisti birmanez për të drejtat e njeriut Maung Zarni.

“Pikërisht për çështjen rohinga, Aung San Suu Kyi dhe ushtria birmaneze po i përmbahen të njëjtit manual.”

Por disa në Uashington e shohin atë si shpresa më e mirë për ndryshime demokratike në Mianmar.

“Pikpamja ime personale është se nuk janë të dobishme kritikat vetëm ndaj saj kur ajo ndodhet në një pozitë shumë sfiduese”, thotë senatori republikan Mitch McConnell.

Por durimi po mbaron. Një grup senatorësh amerikan nga të dy partitë i kërkuan publikisht zonjës Aung San Suu Kyi, siç u shprehen ata që “ të zbatonte fjalët e sajë frymëzuese” dhe trajtojë represionin brutal ndaj popullsisë myslimane rohinga.

Senatori John McCain njoftoi këtë javë se do të tërhiqte një propozim për zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak me Mianmarin. Aktivisti birmanez Maung Zarn thotë se ky është hapi i parë .

“Para gjithçkaje, Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin përpjekjet që Kombet e Bashkuara t’i cilësojnë si gjenocid krimet e shtetit birmanez. Dhe jo më pak.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG