Lidhje

Biden: Gjendja në Mianmar, sulm i drejtpërdrejtë ndaj tranzicionit drejt demokracisë


Presidenti i SHBA Joe Biden tha se gjendja në Mianmar është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj tranzicionit të vendit drejt demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Presidenti Biden i bëri komentet të hënën pas njoftimeve të Televizionit të Mianmarit të drejtuar nga ushtria se ajo po merrte kontrollin e vendit nën një gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të mungesës së veprimit mbi pretendimet e ushtrisë për mashtrime në zgjedhjet e nëntorit.

Zoti Biden i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë trysni ndaj ushtrisë së Mianmarit që të heqë dorë nga pushteti, të lirojë të arrestuarit, të heqë kufizimet e telekomunikacionit dhe të frenohet nga dhuna ndaj civilëve.

"Shtetet e Bashkuara i hoqën sanksionet ndaj Mianmarit gjatë dekadës së fundit bazuar në përparimin drejt demokracisë," tha zoti Biden në një deklaratë. "Përmbysja e këtij përparimi do të kërkojë një rishikim të menjëhershëm të ligjeve dhe autoriteteve tona të sanksioneve, të ndjekura nga veprimet e duhura," tha ai.

Udhëheqësja de facto e Mianmari, Aung San Suu Kyi dhe zyrtarë të tjerë të partisë në pushtet u arrestuan në një operacion që ngriti shqetësime për një grusht shteti. Veprimet u kryen në të njëjtën ditë kur parlament i ri pritej të fillonte punimet.

Aung San Suu Kyi dhe presidenti Win Myint, u ndaluan herët të hënën, tha zëdhënësi i partisë në pushtet, Lidhja Kombëtare për Demokraci.

"Dua t'u them njerëzve tanë të mos përgjigjen me nxitim dhe dua që ata të veprojnë në përputhje me ligjin," tha zëdhënësi Myo Nyunt të hënën, pak para se të arrestohej gjithashtu.

"Me aq sa dimë, të gjithë njerëzit e rëndësishëm janë arrestuar nga ushtria”, tha ai. “Pra, tani mund të themi se është grusht shteti. Në Naypyidaw, Aung San Suu Kyi dhe presidenti Win Myint janë arrestuar, kështu dëgjova. Por, ne nuk jemi të sigurt për anëtarët e parlamentit, por mund të supozojmë se edhe ata janë arrestuar”.

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se "Shtetet e Bashkuara janë të alarmuara nga raportet se ushtria e Burmës ka ndërmarrë hapa për të penguar tranzicionin demokratik në vend", duke shtuar se Shtetet e Bashkuara i kërkojnë "ushtrisë dhe të gjitha palëve të tjera t'u përmbahen normave demokratike, sundimit të ligjit dhe lirimin e të arrestuarve”.

"Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë çdo përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit ose për të penguar tranzicionin demokratik në Mianmar dhe do të marrin masa kundër atyre që janë përgjegjës nëse këto hapa nuk anulohen”, thuhet në deklaratë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shtoi se Shtetet e Bashkuara "qëndrojnë me popullin e Burmës në aspiratat e tyre për demokraci, liri, paqe dhe zhvillim" dhe i bëri thirrje ushtrisë që të anulojë menjëherë veprimet e saj.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i bëri thirrje udhëheqjes ushtarake të Mianmarit për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje përmes dialogut paqësor, ndërsa dënoi me forcë arrestimin e zonjës presidentit U Win Myint dhe udhëheqësve të tjerë politikë në prag të sesionit të ri të parlamentit të Mianmarit.

Australia, India dhe Singapori shprehën gjithashtu shqetësimet e tyre për situatën në Mianmar.

Sipas raportimeve, shërbimet telefonike dhe të internetit në qytetet kryesore të vendit ishin ndërprerë. Televizioni shtetëror MRTV, ishte jashtë transmetimit, duke raportuar në facebook se kishte probleme teknike.

Sipas raporteve të shumta, ushtarët ishin në rrugët e kryeqytetit, Naypyidaw dhe të qytetit më të madh, Yangon.

Zhvillimet e së hënës pasuan muaj tensionesh pas fitores së madhe të Lidhjes Kombëtare për Demokraci në zgjedhjet e muajit nëntori. Ushtria e Mianmarit pretendoi se kishte pasur mashtrime gjatë zgjedhjeve, një pretendim i hedhur poshtë nga Komisioni i Zgjedhjeve.

Javën e kaluar, ushtria e Mianmarit hodhi poshtë zërat se do të niste një grusht shteti pasi që komandanti i përgjithshëm i ushtrisë, gjenerali Min Aung Hlaing, u tha oficerëve të lartë se kushtetuta, e cila e cilëson të jashtëligjshëm një grusht shteti, mund të revokohet nëse ligjet nuk zbatohen si duhet.

Një koloni britanike deri në vitin 1948, Mianmari është drejtuar nga diktatorë të mbështetur nga ushtria nga viti 1962 deri në vitin 2010.

Një kryengritje në vitin 1988 çoi në zgjedhje në vitin 1990, të cilat partia Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD) i fitoi me rezultat të thellë, por anëtarët e zgjedhur të parlamentit u burgosën dhe diktatura vazhdoi.

Aung San Suu Kyi, vajza e heroit të pavarësisë së Mianmarit, gjeneralit Aung San, i cili u vra në 1947, doli si një udhëheqëse në tubimet pro-demokracisë dhe të NLD-së. Ajo fitoi çmimin Nobel për Paqe në vitin 1991 ndërsa ishte në arrest shtëpiak.

Në vitin 2010, Aung San Suu Kyi, u lirua dhe fitoi në zgjedhjet e vitit 2012 duke u bërë më pas udhëheqësja de facto e Mianmarit.

Por, autoriteti i zonjës Aung San Suu Kyi, 75 vjeçare, ndërsa mbetet i lartë në mesin e shumicës budiste të Mianmarit, ka rënë në shkallë ndërkombëtare për shkak të trajtimit të pakicës kryesisht myslimane Rohingya të vendit.

Në vitin 2017, një sulm i ushtrisë kundër pakicës Rohingya, që pasoi disa sulme vdekjeprurëse në stacionet e policisë në shtetin Rakhine, bëri që qindra mijëra Rohingya të iknin në Bangladeshin fqinj. Gjykata Penale Ndërkombëtare po heton vendin për krime kundër njerëzimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG