Lidhje

Në prag të gjyqit në Senat


Members of Congress prepare to evacuate the floor as protesters try to break into the House Chamber at the U.S. Capitol, in Washington, Jan. 6, 2021.

Në prag të gjyqit të tij në Senat me akuzën e nxitjes së rebelimit të 6 janarit në Kapitol, avokatët e ish-Presidentit Donald Trump mohuan të hënën që ai të kishte inkurajuar dhunën. Ata sulmuan demokratët dhe sfiduan përsëri kushtetutshmërinë e procedurës.

Ekipi i mbrojtjes, në përpjekje për të bindur anëtarët e Senatit me 100 anëtarë që të mos e dënojnë ish-Presidentin apo ta ndalojnë atë të kandidojë përsëri, deklaruan në një përmbledhje me shkrim se ata nuk do të bëjnë asnjë lëshim.

Gjyqi, thanë ata, është një "akt politik i paskrupullt" i demokratëve, që synon “t’i mbyllë gojën një kundërshtari politik dhe një partie pakicë".

Akuza për "nxitje rebelimi", e miratuar më 13 janar nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët përqendrohej tek fjalimi i zotit Trump para një turme ndjekësish, pak para se shumë prej tyre të sulmonin Kapitolin, duke i detyruar ligjvënësit të largoheshin dhe të shkonin në një strehim të sigurt. Nga dhuna më 6 janar humbën jetën pesë persona, duke përfshirë një oficer policie.

Avokatët mbrojtës deklaruan se zoti Trump foli thjesht në "kuptim figurativ", kur ai u tha ndjekësve të shkonin në Kapitol dhe "të luftonin me çdo kusht" në kohën që Kongresi po çertifikonte zyrtarisht fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit. Përdorimi nga zoti Trump i fjalës "luftë", tha mbrojtja, "nuk mund të interpretohet si inkurajim për akte dhune.”

"Në mënyrë të veçantë mungonte në fjalimin e tij çdo referencë ose inkurajim i një rebelimi, i një trazire, i një veprimi kriminal apo çfarëdo veprimesh të dhunës fizike," shkruanin ata.

Avokatët mbrojtës Bruce Castor, David Schoen dhe Michael van der Veen thanë në deklaratë se Kushtetuta "nuk parashikon proces shkarkimi kundër një qytetari privat i cili nuk është në detyrë".

Mandati katër vjeçar i Presidentit Trump përfundoi më 20 janar.

Ndërkohë, pretendimet e pabazuara të zotit Trump për vjedhje të zgjedhjeve dhe fjalimi i tij në prag të trazirave në Kapitol kanë shkaktuar çarje në partinë e tij. Dhjetë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve votuan për ta fajësuar atë.

AVOKATËT VENË NË SHËNJESTËR DEMOKRATËT

Avokatët vunë në shënjestër Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe nëntë ligjvënësit demokratë të Dhomës që do të shërbejnë si prokurorë në gjyqin që zhvillohet në Senat.

"Pandershmëria intelektuale dhe mungesa e fakteve nga ana e prokurorëve të Dhomës së Përfaqësuesve nuk bëjnë tjetër veçse nxjerrin më tej në pah se ky proces fajësimi nuk ka të bëjë fare me kërkimin e drejtësisë", shkruajnë avokatët e zotit Trump në përgjigje të argumenteve të paraqitura nga prokurorët.

"Përkundrazi, kjo është thjesht një përpjekje egoiste e udhëheqjes demokrate të Dhomës për të shfrytëzuar ndjenjat e tmerrit dhe konfuzionit që provuan të gjithë amerikanët e të gjithë spektrit politik kur panë shkatërrimin në Kapitol më 6 janar nga disa qindra njerëz," shkruajnë avokatët.

Shpallja fajtor e ish-Presidentit kërkon një shumicë prej dy të tretave, që do të thotë se 17 republikanë të Senatit do të duhet t’u bashkohen 50 demokratëve në votimin përfundimtar.

Bazuar në komentet publike, duket se kjo ka pak mundësi të ndodhë.

Një përpjekje e dështuar më 26 janar për të pushuar çështjen kundër zotit Trump me argumentin se do të ishte antikushtetuese mbajtja e një gjyqi pas përfundimit të mandatit të tij presidencial siguroi mbështetjen e 45 prej 50 republikanëve të Senatit.

Prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve e hodhën poshtë këtë argument javën e kaluar. Ata argumentuan se zoti Trump duhet shpallur fajtor për të mbrojtur demokracinë amerikane dhe sigurinë kombëtare dhe për të mos lejuar një president të ardhshëm që të përdorë dhunën për qëndruar në pushtet.

Sfidimi me argumente kushtetuese i çështjes kundër zoti Trump do t'u mundësonte republikanëve të Senatit të votojnë kundër shpalljes fajtor pa u dashur të mbrojtur drejtpërdrejt fjalimin e tij të 6 janarit para mbështetësve.

Avokatët e zotit Trump thanë të hënën se sulmi ndaj Kapitolit nuk kishte asnjë lidhje me fjalimin. Ata thanë se protestuesit e sulmuan Kapitolin "me dëshirën e tyre dhe për arsyet e tyre".

Ndërkaq avokatët e të paktën disa prej personave të akuzuar për sulmin kanë thënë se këta të pandehur vepruan me inkurajimin e zotit Trump.

Avokatët e ish-Presidentit thanë gjithashtu se komentet e bëra prej tij në fjalim ishin të mbrojtura nga e drejta e amendamentit të parë të Kushtetutës për fjalën e lirë.

Gjyqi pritet të hapet me një debat prej katër orësh dhe më pas do të ketë një votim nëse procedura është antikushtetuese me argumentin se zoti Trump nuk është më president. Gjyqi më pas do të vazhdojë me një debat deri në 32 orë duke filluar nga e mërkura në mesditë, thanë burimet.

Nëse prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve vendosin të thërrasin dëshmitarë, Senati do të debatojë dhe do të votojë nëse do të lejohen dëshmitarë.

Të dyja palët mund të kenë interes për ta përfunduar sa më shpej gjyqin.

Demokratët kanë një shumicë mjaft të vogël si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat dhe gjyqi mund t’ia bëjë më të vështirë Kongresit të miratojë planin e Presidentit Biden për ndihmën prej 1.9 trilionë dollarësh për COVID-19 dhe të sigurojë konfirmimin e kandidatëve për postet qeveritare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG