Lidhje

Përpjekje për të stabilizuar çmimet e naftës


Katër prej vendeve më të fuqishme prodhuese të naftës vendosën të ngrijnë nivelin e prodhimit sot, në përpjekje për të ndalur rënien e çmimit të karburantit, të shkaktuar nga oferta e tepërt e naftës në treg.

Marrëveshja u arrit nga ministrat e Rusisë, Arabisë Saudite, Venezuelës dhe Katarit gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Doha të Katarit. Kuarteti tha se do t’i ngrijnë sasitë e prodhimit në nivelin e muajit janar, i cili sipas ministrit saudit të naftës Ali al-Naimi është “i mjaftueshëm”.

Por zoti Naimi tha se marrëveshja kushtëzohet nga vendimi edhe i vendeve të tjera të mëdha prodhuese për të ngrirë nivelet e prodhimit. Nesër pritet të ketë bisedime me përfaqësues të Iranit dhe Irakut. Irani mund t’i bëjë rezistencë këtij propozimi, pasi është i interesuar të eksportojë naftë pas heqjes së sanksioneve perëndimore që ishin vënë si ndëshkim për programin e armëve bërthamore.

Marrëveshja e arritur sot mes katër vendeve përfaqëson një ndryshim në politikën saudite. Për muaj me radhë Riadi i ka rezistuar idesë së ngrirjes së prodhimit me shpresën se rënia e çmimit do të detyronte konkurrentë të tjerë, si Shtetet e Bashkuara të tërhiqeshin nga ekporti i naftës.

XS
SM
MD
LG