Lidhje

Aksion kundër abuzimeve me naftën


Kryeministri njoftoi nisjen e një operacioni të gjerë që do të kontrollojë të gjithë segmentet e këtij sektori, që nga nxjerrja e prodhimi i naftës, te rafineritë, importet dhe pikat e karburanteve

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama njoftoi sot nisjen e një aksion të gjerë kundër abuzimeve në sektorin e naftës, që nga prodhimi te shitja e karburanteve për qytetarët, sic ndodhi me sektorin e energjisë dhe operacionin kundër ndërtimeve pa leje, deklaroi zoti Rama

“Ky është një operacion që vjen në një moment shumë të rëndësishëm për ekonominë tonë, ku kthesa që ka nisur duhet të vazhdojë me doemos dhe edhe më me shumë shpejtësi dhe ku ky sektor ka një barrë të rëndësishme. Bazohet në gjithë analizën e imët që është bërë në sektor dhe bazohet në një projekt shumë të qartë që nuk do të ndalet. Nuk do të ndalet, sepse beteja me grabitësit e pasurisë tonë kombëtare dhe me mashtruesit që u shesin qytetarëve, naftë të një cilësie të papranueshme, duke ua dëmtuar prej kaq shumë vitesh investimin e tyre në automjete, është një betejë jetike për ekonominë kombëtare dhe për ekonominë e familjeve tona, por është edhe një betejë jetike për cilësinë e mjedisit ku jetojmë”, u shpreh zoti Rama.

Kryeministri shpjegoi se në këtë aksion do të përfshihen se paku katër ministri, Policia e Shtetit dhe një sërë institucionesh të tjera. Ai tha se kontrollet do të prekin cdo segment të këtij sektori, që nga kompanitë nxjerrëse dhe prodhuese, te rafineritë e deri te importet e karburanteve që nga moment që ato hyjnë në territorin shqiptar deri kur përfundojnë në treg, në pikat e tregtimit me pakicë.

Kryeministri u shpreh se “historitë që u kanë ndodhur deri më sot qoftë qytetarëve të thjeshtë me shkatërrimin e automjeteve të tyre, qoftë qytetarëve në zonat ku kjo industri – sipas tij - ka bërë dëme të konsiderueshme, duhet të marrë fund. Toleranca do të jetë zero dhe përballja me shtetin dhe me ligjin do të jetë më e ashpër se asnjëherë tjetër”, nënvizoi zoti Rama.

XS
SM
MD
LG