Lidhje

NATO, ndihmë Ballkanit për t’iu kundërvënë ndikimit rus


NATO po ndihmon qeveritë e Ballkanit Perëndimor, organet e tyre të zbulimit dhe të mbrojtjes për t'i rezistuar ndikimit të huaj politik, sidomos atij rus, tha sot Sekretari i Përgjithëm i aleancës veri-atlantike, Jens Stoltenberg. Ai shkoi sot për një vizitë në Bosnje ku foli edhe për bashkëpunimin e alenacës me Malin e Zi, i cili këtë vit pritet të bëhet zyrtarisht anëtar i aleancës.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jens Stoltenberg tha në Sarajevë se aleanca ishte në dijeni të njoftimeve për një rritje të ndikimit rus në Ballkan dhe të ndërhyrjes së Rusisë në proceset politike në Mal të Zi:

"Ne po ndjekim nga afër këtë çështje, po punojmë me partnerët tanë, përfshirë Malin e Zi, për t’i ndihmuar ata që të forcojnë kapacitetet e tyre të kundërzbulimit dhe institucionet e tyre të mbrojtjes."

Mali i Zi pritet t’i bashkohet NATO-s këtë vit, një veprim që Rusia e kundërshton me forcë. Vitin e kaluar, autoritetet e këtij vendit akuzuan një grup të serbëve dhe nacionalistëve rusë për planifikim të një grusht shteti gjatë zgjedhjeve të 16 tetorit për të sjellë në pushtet koalicionin opozitar. Qeveria ruse mohoi përfshirjen në një komplot të tillë.

"Mënyra më e mirë për të rritur gatishmërinë ndaj çdo lloj ndikimi të jashtëm apo ndikimi të mundshëm është që të sigurohemi që institucionet në vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të forta, të modernizuara dhe të reformuara", tha zoti Stoltenberg.

Ai gjithashtu inkurajoi udhëheqësit e grupeve rivale etnike të Bosnjës që të arrijnë një kompromis mbi të ardhmen e vendit dhe rrugën e tij drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Bosnja ka bërë përparim në drejtim të plotësimit të kushteve për anëtarësim, por serbët e Bosnjës janë duke zvarritur plotësimin e kushteve të mbetura.

Zoti Stoltenberg tha se NATO nuk do të detyrojë asnjë vend që t’i bashkohet aleancës dhe hodhi poshtë akuzat se aleanca do të ndërhynte në Bosnje, në rast të trazirave politike.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG