Lidhje

Në prag të takimit të nivelit të lartë NATO-s në Bruksel

  • Luis Ramires

Udhëheqësit e NATO-s po mblidhen në Bruksel, për të marrë pjesë në takimin e 25 majit, ku ata pritet të bien dakord për parimet kryesore të Aleancës. Pas sulmit të së hënës në Britani, pritet që të ketë një konsensus lidhur me nevojën për të vazhduar luftën kundër terrorizmit si brenda, edhe jashtë vendeve anëtare, në vende si Afganistani. Se si do të bëhet kjo, është një çështje tjetër, që mbetet për t’u parë.

E ardhmja e luftës në Afghanistan është një nga çështjet kryesore për të cilat udhëheqësit europianë shpresojnë të mësojnë më tepër kur të takohen me Presidentin Donald Trump. Udhëheqësi amerikan kërkon shtimin e kontributeve nga vendet anëtare të NATO-s në angazhimin e tyre në Afganistan.

Por kancelarja gjermane Angela Merkel ka lënë të kuptohet se nuk është entuziaste për këtë propozim dhe se do të presë që çështja të diskutohet në NATO:

“Ne jemi duke koordinuar bashkëpunimin e rreth 20 vendeve anëtare që janë aktive atje. Unë do të pres për marrjen e një vendimi për këtë çështje. Nuk jam e mendimit që ne jemi të parët në radhë për ta zgjeruar kapacitetin tonë atje,”- tha zonja Merkel.

Përveç luftës në Afganistan, zoti Trump e ka bërë të qartë se ai do që vendet anëtare të përmbushin kuotat minimale dhe të shpenzojnë 2 për qind të të ardhurave kombëtare për mbrojtjen. Udhëheqësit europianë presin që në takim të ritheksohet se përpjekja e NATO-s kundër terrorizmit shtrihet përtej Europës dhe Atlantikut.

“NATO-ja është një mekanizëm botëror. Mendoj se është koha që ajo të zgjerohet, sidomos tani për të luftuar ISIS-in. E di që kjo është çështje e debatueshme, por nëse trajtohet me kujdes, atëherë vendet e NATO-s do të pranojnë se është momenti që autoriteti i Aleancës të shttihet përtej Irakut, për t’u marrë me ISIS-in. Mendoj se është shumë më mirë që fuqia amerikane të përdoret në mënyrë globale përmes NATO-s,” thotë ish-Ministri i Jashtëm britanik, David Owen.

Edhe Rusia do të jetë një temë e rëndësishme diskutimi për udhëheqësit europianë, si në takimin e NATO-s, edhe në atë të G-7-ës në Itali. Gjermania, Austria dhe vende të tjera, shpresojnë për një drejtim të ri në marrëdhëniet me Moskën pas krizës së Ukrainës, ngaqë sanksionet e vazhdueshme ndaj Rusisë kanë krijuar presion tek vendet e Europës Perëndimore, që varen nga eksporti i energjisë ruse.

Shpresa e madhe për udhëheqësit europianë është se takimi ballë për ballë me zotin Trump, dhe përsëritja prej e tij e sigurimeve se NATO-ja nuk është e vjetëruar, do të zbutë shqetësimin e tyre lidhur me rolin amerikan si garantuesi i sigurisë në Europë.

Sipas disa njoftimeve, nga burime të NATO-s, zyrtarët nuk do të dalin menjëherë me një deklaratë, siç ndodh zakonisht në takime të ngjashme. Kjo do të varet nga ato që do të thuhen në takim. Në këto kohë tranzicioni dhe të papriturash, kjo është diçka që nuk mund ta parashikojë askush.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG