Lidhje

Ndërrohet komanda amerikane e NATO-s në Afganistan


John Nicholson, komandanti i 17-të i NATO-s në Afganistan dhe i forcave amerikane atje u largua të dielën nga ky post, me një ceremoni për ndryshimin e komandës në Kabul. Në vend të tij vjen gjenerali amerikan Austin Scott Miller, në një kohë kur Afganistani po përjeton një kombinim të shpresës, shqetësimeve dhe pasigurisë për të ardhmen.

Për herë të parë, luftimet mes grupeve sektare në Afganistan ndaluan me rastin e festës së besimtarëve myslimanë në muajin qershor dhe kjo u pasua nga kontaktet e drejtpërdreja mes talebanëve dhe zyrtarëve amerikanë në Katar. Këto zhvillime i shtuan shpresat, se fillimi i negociatave me talebanët për një marrëveshje politike për konfliktin 17-vjeçar mund të ndodhë së shpejti.

Por shpresat u zbehën muajin e kaluar, kur talebanët nuk e pranuan ftesën e Presidentit Ashraf Ghani për një tjetër armëpushim gjatë festës së myslimanëve në muajin gusht.

Gjenerali në largim John Nicholson la të kuptohet se ky vendim i talebanëve mund të jetë ndikuar nga përkrahësit e tyre jashtë vendit. Ai u bëri thirrje talebanëve që të veprojnë me ndjenja nacionalistë. “Mos i vrisni afganët, zëri i kujt është më i rëndësishëm, i të huajve që ju nxisin të luftoni, apo i popullit tuaj që kërkojn paqen,”- tha gjenerali Nicholson.

Zyrtarët amerikanë, si dhe ata afganë akuzojnë Pakistanin se ofron strehim për udhëheqjen e talebanëve afganë, një akuzë që Islambadi e mohon.

Si Uashingtoni, edhe Kabuli theksojnë nevojën e negociatave me talebanët, gjë që e pranoi në fjalimin e tij sot gjenerali Miller.

“Ne e dimë se komponenti ushtarak është vetëm një pjesë e strategjisë sonë në Afganistan. Por është e nevojshme t’i krijohet më tepër hapësisë progresit politik.”-tha gjenerali amerikan Austin Scott Miller, komandanti i ri i NATO-s dhe i forcave amerikane në Afganistan.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG