Lidhje

Zyrtarë të lartë të NATO-s, Komisionit Evropian vizitojnë Shkupin


Zyrtarë të lartë të NATO-s dhe të Komisionit Evropian vizituan të premten Shkupin, në një kohë kur Republika e Maqedonisë duket se po bën hapa përpara drejt integrimit euro-atlantik.

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për çështje politike dhe të sigurisë, Alehandro Alvargonzales dhe zëvendës drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian për politika fqinjësore dhe negociata për zgjerim, Maçej Popovski u pritën nga zëvendës kryeministrja dhe ministre e mbrojtjes në qeverinë e Maqedonisë, Radmilla Sheqerisnka dhe nga ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.

Zyrtarët maqedonas janë shprehur se qeveria e vendit të tyre është e përkushtuar që Maqedonia të bëhet vendi i tridhjetë anëtar i Aleancës Veriatlantike të Natos, për çka ekziston një konsensus i gjerë politik në vend dhe mbështetje e lartë tek qytetarët, kanë theksuar Sheqerinska dhe Dimitrov.

Ata kanë lënë të kuptohet se kriza e rëndë politike në pak vitet e fundit u zgjodh me vullnetin e qytetarëve të cilët duan vazhdimin e rrugës së reformave, sipas zyrtarëve qeveritarë maqedonas, të cilët theksojnë se qeveria ka kapacitet për t’i realizuar ato.

Ministrja e Mbrojtjes, Sheqerinska ka nënvizuar më tej se “me pranimin e Maqedonisë në NATO, aleanca do të ketë edhe një anëtar me aftësi për t’i kontribuar përpjekjeve të saj për paqe dhe siguri në rrafsh global”.

Ajo i ka njoftuar zyrtarët nga Brukseli me arritjet dhe veprimtaritë e ushtrisë së Maqedonisë.

Dy ministrat kanë nënvizuar dëshirën e qeverisë së Maqedonisë për të qenë një vend i mirë fqinj “sepse vetëm një rajon i qëndrueshëm mund të jetë kusht për zhvillimin e tij”, kanë thënë ata.

Ministri i jashtëm Dimitrov tha se Maqedonia për një kohë të gjatë ‘de facto’ është pjesë e NATO-s, veçanërisht në ndarjen e përgjegjësive me vendet anëtare të aleancës, duke theksuar pjesëmarrjen e ushtarëve të Maqedonisë në misionet në Afganistan dhe Bosnje.

Ndërkaq, dy zyrtarët e NATO-s dhe KE-së kanë shprehur mirënjohje për angazhimin e qeverisë në Shkup lidhur me reformat e nevojshme si dhe për pjesëmarrjen e ushtarëve të Maqedonisë në misionet paqësore.

Z. Alvarogonzales inkurajoi drejtuesit shtetërorë dhe politikë për të vazhduar procesin e reformave.

Maqedonia ndodhet shumë pranë anëtarësimit në aleancën veriatlantike, por për shkak të vetos greke lidhur me problemin shumëvjeçar të emrit Maqedoni, ajo nuk ka përparuar drejt synimeve integruese. Muajt e fundit janë shtuar përpjekjet edhe në Shkup edhe në Athinë për zgjidhjen e problemit dhe nëse arrihet një zgjidhje, mendohet se nuk do të kishte nevojë për të pritur një samit të radhës që republika ish-jugosllave të bëhet pjesë e Natos. Po ashtu, Komisionit Evropian, do t’i caktonte në këtë rast, një datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG