Lidhje

NATO, nismë detare për krizën e imigracionit


Anijet e NATO-s po drejtohen për në Detin Egje për të ndihmuar Turqinë dhe Greqinë të frenojnë trafikantët e qenieve njerëzore. Ky mision i ri është ndërhyrja më e drejtpërdrejtë e aleancës në krizën e tanishme të refugjatëve. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter premtoi 3.4 miliardë dollarë nga buxheti amerikan i mbrojtjes për Nismën e Natos për Siguri Evropiane.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg njoftoi sot në fund të një takimi dyditor të ministrave të mbrojtjes në Bruksel, për misionin për të përballuar krizën e imigrantëve në Evropë. Aleanca po dërgon anije luftarake në Detin Egje për të vënë në shënjestër trafikanët e imigrantëve. Misioni u vu në lëvizje, pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter shprehu mbështetjen e tij:

“Është krijuar një organizatë kriminale që po shfrytëzon këta njerëz në vëzhtirësi, prandaj ky është një operacion kontrabande të organizuar dhe vënia e këtij operacioni në shënjestër, është sipas mendimit tim, mënyra më efektive përsa i takon aspektit humanitar. Mendoj se ky është synimi kryesor”.

Zoti Carter vlerësoi gjithashtu Gjermaninë, Turqinë dhe Greqinë për bashkëpunimin lidhur me propozimin për të zgjeruar nismën detare të NATO-s në Mesdhe për të përballuar krizën e emigrantëve.

Zoti Stoltenberg tha se vendimi u mor për të ndihmuar Turqinë dhe Greqinë që të menaxhojnë tragjedinë “më mirë se sa ç’është bërë deri tani”.

Përsa i takon shumës që buxheti amerikan ka përfshirë për Nismën e NATO-s për Siguri, zoti Carter the se ajo është katër herë më e lartë sesa kontributi i mëparshëm amerikan në përpjekjet e NATO-s për të frenuar agresionin rus kundër aleatëve në Evropën Lindore:

“Siç u thashë edhe homologëve të mi në NATO, kjo shumë do të mbështesë rotacionin më të shpeshtë të forcave amerikane në Evropë, përfshirë praninën e pandërprerë të një brigade të armatosur luftimi gjatë gjithë vitit. Do të financojë gjithashtu më shumë stërvitje me aleatët, do të sigurojë më shumë paisje në Evropë, përfshirë paisje luftimi”.

XS
SM
MD
LG