Pas një njoftimi të Shteteve të Bashkuara për të mbajtur 8 mijë e 400 trupa në Afganistan, udhëheqësit e NATO-s do të takohen në Varshavë të premten dhe të shtunën për të diskutuar tre tema kyçe: vazhdimësinë e mbështetjes për trupat afgane, luftën ndaj militantëve të Shtetit Islamik në krahun jugor të NATO-s dhe frenimin e agresionit rus në lindje.
Nga Afganistani tek Ukraina dhe Shteti Islamik, NATO-ja ka mjaft kërcënime sigurie për të diskutuar në takimin e nivelit të lartë të këtij viti.
“Ta themi hapur: aleancat nuk kanë rrugëzgjidhje. Duhet të përballen me atë që u del përpara. Nuk mund të vendosesh se cila është më e rëndësishme. Duhet t’i përballosh të gjitha”, - thotë Anthony Cordesman, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Tani që nuk ka më pasiguri për trupat amerikane, analistët thonë se udhëheqësve të NATO-s u duhet një strategji për të ndihmuar afganët që të zgjidhin problemet e tyre të shumta, përfshirë një ekonomi të dobët, dështimin për rifillimin e bisedimeve të paqes me talebanët dhe një rritje të numrit të viktimave afgane pas një periudhe të ashpër luftimesh, thotë Anthony Cordesman i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare:
“Nuk mund të them pa mëdyshje se po humbasim, por çfarëdo të jetë duke ndodhur, nuk po fitojmë”.
Në jug, NATO-ja nuk po e lufton Shtetin Islamik si bllok, por anëtarët e saj po zgjedhin t’i dërgojnë trupat në mënyrë të njëanshme në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Pas sulmit terrorist në Paris vitin e kaluar, pati thirrje që NATO-ja të përdorte nenin e pestë për mbrojtje kolektive kundër grupit ekstremist. Por disa analistë paralajmërojnë kundër rritjes së angazhimit të NATO-s.
“Mendoj se NATO-ja nuk do të angazhohet zyrtarisht në Siri dhe Irak, sepse na duhet bashkëpunimi rus, veçanërisht në Siri dhe nuk mund të sigurosh bashkëpunimin rus, nëse NATO-ja është e pranishme”, - thotë Daniel Serwer, Universiteti Johns Hopkins.
Rusia është një tjetër kërcënim i mundshëm për aleancën. Rusia ka aneksuar ilegalisht gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka vazhduar mbështetjen e separatistëve në lindjen e Ukrainës.
Pilotët rusë kanë fluturuar gjithashtu shumë pranë anijeve luftarake amerikane që kryenin operacione stërvitore me aleatët e NATO-s në Detin Balltik.
Udhëheqësit e NATO-s në takimin e nivelit të lartë do të duhet nga njëra anë t’u japin siguri aleatëve lindorë …dhe njëkohësisht të jenë të gatshëm për të frenuar një agresion rust të mëtejshëm.
“Mendoj se një nga elementët kryesorë të frenimit të atyre që mund të duan të ushtrojnë presion ndaj aleancës, është që e gjithë aleanca, struktura që kemi aktualisht, të ketë më shumë gatishmëri dhe aftësi reaguese”, - thotë Philip Breedlove, ish-komandant i lartë i forcave të NATO-s në Evropë.
Për të ndihmuar me këtë përpjekje, Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania dhe Kanadaja po planifikojnë të udhëheqin një batalion në pjesën jugore të NATO-s.
Një zyrtar amerikan i tha Zërit të Amerikës se Presidenti Barack Obama do të njoftojë se Shtetet e Bashkuara do të udhëheqin një batalion në Poloni, ndërsa të tjerët do të udhëheqin bataljone në Estoni.