Lidhje

Takimi i NATO-s përfundon me nota pozitive


NATO-ja ka tani një seli të re madhështore, që rrezaton një imazh modern që bie ndesh me karakterizimin që Presidenti Donald Trump dhe kritikë të tjerë i kanë bërë aleancës. Në klimën e nervozizmit që ndjejnë disa udhëheqës evropianë për të ardhmen, disa e shohin takimin e djeshëm të nivelit të lartë ku diskutimet u ndikuan kryesisht nga vala e sulmeve terroriste në Evropë, si një shans për një drejtim të ri për aleancën.

Në një ditë të mrekullueshme pranvere, selia e re madhështore e NATO-s u vlerësua nga Presidenti Donald Trump, që e zbuti atmosferën mes udhëheqësve nervozë për atë që mund të thoshte udhëheqësi amerikan në takim:

“Asnjëherë nuk kam pyetur se sa kushtoi selia e re e NATO-s. Refuzoj ta bëj një gjë të tillë. Por është e mrekullueshme”.

Kostoja është 1.2 miliardë dhe kompleksi është i mbushur me simbole të historisë së aleancës dhe të ardhmes së saj.

Një memorial për Murin e Berlinit është simbol i një Evrope të lirë, të ribashkuar pas Luftës së Ftohtë.

Fragmente nga Kullat Binjake pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në New York, janë kujtesë se lufta kundër terrorizmit është kthyer në objektivin e madh të NATO-s në shekullin e 21-të.

“Fakti që Presidenti Trump ia përkushtoi memorialin 11 shtatorit dhe kapitullit 5 për mbrojtjen e përbashkët, është një kujtesë e fortë e solidaritetit të NATO-s dhe rëndësisë së luftës sonë të përbashkët kundër terrorizmit”.

Udhëheqësit ranë dakord të vazhdojnë me një plan zbatimi për të luftuar terrorizmin dhe të krijojnë një njësi për këmbimin e informacioneve të zbulimit.

Atmosfera ishte më e mirë nga ç’pritej dhe kjo thonë analistët, ishte arritja më e madhe.

“Mendoj se atmosfera mund të jetë përmirësuar në këtë takim. Evropianët ishin shumë nervozë për ardhjen e tij. Ai erdhi dhe koha u rregullua. Ndërtesa është një simbol I qëndrueshmërisë së NATO-s”.

Kompleksi reflekton imazhin e një organizate të fuqishme dhe të vendosur për t’u përballur me rreziqet në vende si Afganistani ku udhëheqësit e NATO-s do të vendosin së shpejti për numrin e trupave.

Rusia ishte gjithashtu temë kryesore dhe udhëheqësi amerikan e përmendi si një nga kërcënimet kryesore të sigurisë.

Këto çështje do të jenë të gjitha tema bisedash në ditët e ardhshmekur disa nga udhëheqësut të marrin pjesë në takimin e grupit të shtatëshes në Itali.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG