Lidhje

NATO skeptike ndaj propozimit rus për armëpushim


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen ka shprehur skepticizëm në lidhje me një plan për armëpushim në Ukrainë të propozuar nga Presidenti rus Vladimir Putin, ndërkohë që udhëheqës botërorë janë mbledhur në Uells për një takim të rëndësishëm të NATO-s. Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi NATO-n që të mos pranojë kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në këtë aleancë dhe i bëri thirrje Kievit të pranojë planin e Presidentit Putin për paqe.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen tha sot se NATO mirëpret të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore të krizës në Ukrainë. Por ai tha se ajo që duhet të merret parasysh është situata në terren, duke vënë në dukje se Rusia është ende duke "sulmuar" Ukrainën.

"Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Rusisë që të tërheqë trupat e saj nga kufijtë e Ukrainës, të ndalë lëvizjen e armëve dhe luftëtarëve në Ukrainë, të ndalë mbështetjen për militantët e armatosur në Ukrainë dhe të angazhohet në një proces konstruktiv politik dhe në një përpjekje të sinqertë për të gjetur një zgjidhje paqësore të krizës në Ukrainë," tha ai.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Rusisë Segei Lavrov paralajmëroi NATO-n që të mos i ofrojë Ukrainës anëtarësim në aleancë dhe i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të mos përpiqen të imponojnë vullnetin e tyre mbi ish-republikën sovjetike.

Zoti Lavrovi i bëri thirrje Kievit dhe rebelëve prorusë që po luftojnë kundër forcave ukrainase në Ukrainën lindore që të mbështesin planin e paqes të propozuar nga Presidenti Vladimir Putin dhe të shmangin një krizë të madhe në zemër të Evropës.

Zoti Putin njoftoi planin shtatë-pikësh dje në prag të fillimit të takimit të NATO-s, ku do të diskutohet kriza në Ukrainë.

Ministri Lavrov i bëri komentet gjatë bisedimeve me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Ilkka Kanerva dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland.

“Pikërisht në momente të tilla kur ne fillojmë të gjejmë disa qasje
për fillimin e zgjidhjes së problemeve specifike mes Kievit dhe kryengritësve, autoritetet e Kievit kërkojnë të heqin dorë nga statusi neutral i Ukrainës dhe të fillojnë anëtarësimin në NATO'',
tha zoti Lavrov, duke shtuar se lëvizjet e Kievit janë një përpjekje për të penguar dialogun për pajtim kombëtar.

Moska prej kohësh ka thënë se do ta konsideronte si kërcënim të sigurisë kombëtare anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Plani 7-pikësh i Presidentit Putin synon ndaljen e kryengritjes së separatistëve në Ukrainën lindore. Plani bën gjithashtu thirrje për tërheqjen e ushtrisë ukrainase nga rajonet rusisht-folëse në lindje si dhe vendosjen e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko merr pjesë në takimin e NATO-s si udhëheqës i ftuar i një vendi jo-anëtar i aleancës, ku pritet të takohet me udhëheqësit Perëndimorë.

XS
SM
MD
LG