Lidhje

NATO përforcon vendosmërinë e saj ushtarake dhe politike


Gjatë takimit të nivelit të lartë në Poloni, vendet e NATO-s ranë dakort të ruajnë praninë ushtarake në Afganistan. Të inkurajuar gjithashtu nga njoftimi i Presidentit Obama për dërgim trupash në Poloni, vendet anëtare vendosën edhe për dërgimin e trupave shtesë në Balltik, për të parandaluar një agresion të mundshëm të Rusisë.

Pas njoftimit të Presidentit Obama për uljen e ritmit të tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani, edhe vendet anëtare të NATO-s ranë dakort të ruajnë praninë e tyre ushtarake dhe mbështetjen për Afganistanin.

“Nuk ka pse të spekullojmë se sa do të vazhdojnë operacionit ushtarake në Afganistan. Ne jemi të gatshëm të qëndrojmë atje përtej vitit 2016 dhe do ta rivlerësojmë situatën sërish vitin e ardhshëm. Kemi vendosur gjithashtu të mbështesim deri në vitin 2020, me një kosto prej afro 5 miliardë dollarë në vit, ushtrinë dhe policinë afgane,” njoftoi në një konferencë për shtyp Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Të nxitur nga vendimi i SHBA-së për të dislokuar 1 mijë trupa në Poloni, vendet e NATO-s vendosën dërgimin e njësive ushtarake shtesë në Estoni, Letoni dhe Lituani, me synim parandalimin e një agresioni rus. Udhëheqësit e këtyre vendeve kanë bërë thirrje të vazhdueshme për mbështetje ushtarake, ndërkohë që përvoja e Ukrainës luajti një rol kryesor në këtë vendim të NATO-s.

“Nuk shohim ndonjë kërcënim të pashmangshëm ndaj një vendi anëtar të NATO-s. Me Rusinë nuk jemi më në një marrëdhënie partneriteti strategjik që u munduam ta ndërtojmë pas Luftës së Ftohtë, por as nuk gjendemi në kushtet e Luftës së Ftohtë. Është një situatë e re e papërjetuar më parë,” tha zoti Stoltenberg.

Ndërsa NATO konfirmoi unitetin dhe vendosmërinë e saj, pjesa më e madhe e vëmendjes së Presidentit Obama gjatë punimeve të samitit u përqëndrua tek Ukraina, ku Russia nuk po jep shenja për përfundimin e ndërhyrjes së saj ushtarake të filluar mbi dy vjet më parë.

XS
SM
MD
LG