Lidhje

NATO hap takimin e nivelit të lartë


NATO-ja filloi sot takimin dyditor të nivelit të lartë, që po konsiderohet si një nga më të rëndësishmit e aleancës prej shumë vjetësh. Udhëheqësit botërorë, të mbledhur në Uells të Britanisë, po diskutojnë për rrezikun e grupit Shteti Islamik, Afganistanin dhe krizën mes Ukrainës dhe Rusisë. Si reagim ndaj atij që shihet gjerësisht si agresion rus, ata pritet të ndërmarrin hapa energjike për formimin e një force ushtarake të ndërhyrjes së shpejtë, që të mund të dislokohet me shpejtësi në zona të caktuara në Evropën Lindore.

Takimi i sotëm filloi me një ceremoni për të nderuar forcat e armatosura të të gjitha vendeve pjesëmarrëse në Forcën Ndërkombëtare të Sigurisë që kanë luftuar në Afganistan. David Cameron, kryeministri i vendit mikpritës i përmblodhi sfidat madhore globale në komentet e tij në fillim të konferencës:

“Trupat ruse janë ilegalisht në Ukrainë. Kërcënimi ekstremist islamist, është ringritur në një formë të re në Irak dhe Siri. Këto janë vetëm dy nga kërcënimet me të cilat ne përballemi. NATO-ja është spiranca e sigurisë sonë dhe gjatë këtyre dy ditëve, ne duhet ta rigjallërojmë dhe rifokusojmë aleancën për të përballuar rreziqet e reja dhe për t’u siguruar që ajo do të vazhdojë të garantojë stabilitetin në gjithë botën,” tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, para takimin e akuzoi Rusinë se po sulmon Ukrainën.

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko u takua me Presidentin amerikan Barack Obama, kryeministrin britanik Cameron dhe udhëheqës të tjerë para se të hapej takimi.

Një nga temat që po diskutohen është krijimi i një force të ndërhyrjes së shpejtë, për të fuqizuar praninë ushtarake në vendet anëtare të aleancës në kufi me Rusinë për të frenuar dhe nëse është e nevojshme për të reaguar ndaj çdo lëvizjeje të mundshme ushtarake ruse në ato zona.

Seanca e parë sot u përqendrua tek Afganistani, një nga çështjet kryesore të takimit të nivelit të lartë.

“Ne kemi bërë atë që premtuam se do të bënim. I kemi dhënë një goditje dërrmuese terrorizmit ndërkombëtar në Afganistan dhe kemi konsoliduar një forcë të aftë afgane me 250 mijë trupa ushtarake dhe policore,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Megjithëse kriza në Ukrainë dhe fashitja e misionit të NATO-s në Afganistan janë ndër temat kryesore në program, disa nga diskutimet më të rëndësishme mund të zhvillohen jashtë seancave, ku udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë do të përpiqen të përforcojnë mbështetjen për një përgjigje ndërkombëtare ndaj ekstremistëve të grupit të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

XS
SM
MD
LG