Lidhje

Urdhëri për ndalimin e udhëtimit dhe fëmijët refugjatë


Urdhri i administratës Trump për kufizimin e udhëtimeve nga disa vende drejt Shteteve të Bashkuara, ka ndikim tek pjesa më e prekshme e popullsisë së botës – fëmijët. Në SHBA, ligji lejon çertifikimin e personave në moshë madhore, si “prindër birësues” që do të kujdesen për fëmijë refugjatë, në vend të prindërve biologjikë që në shumë raste kanë vdekur. Urdhri për kufizimin e udhëtimeve i komplikon gjërat.

Kjo dhomë gjumi i takon dikujt që mund të mos e shohë kurrë.

“Tashmë nuk dimë se kur do të mbërrijnë fëmijët”, thotë Kichelle Coleman, e Shërbimeve Sociale Luterane.

Puna e Kichelle shtrihet në zonën e kryeqytetit amerikan dhe organizata e saj ndërlidh fëmijë refugjatë me prindër birësues.

“Janë miliona fëmijë që kanë nevojë për një shans të dytë, një shans për të zbuluar vetveten dhe jo vetëm për të mbijetuar”, thotë Irene Stevenson, prind birësues.

Irene është çertifikuar nga Distrikti i Kolumbias për të adoptuar një fëmijë. Ajo e ka përgatitur shtëpinë e saj për të pritur një vajzë refugjate nga Somalia.

“Nuk do të gjendeshin në këtë situatë nëse nuk do të kishin humbur gjithçka. Nuk do të ishin bërë refugjatë për në SHBA nëse nuk do t’i kishin humbur të gjitha”, thotë Irene.

Familjet si Stevenson dhe Ralbovsky në shtetin Maryland, janë tashmë të pasigurtë, pasi urdhëri i administratës Trump për ndalimin e udhëtimeve përfshin edhe refugjatët.

“Kemi folur me gati njëqind persona për këtë gjë, por askush nuk e di se ç’do të ndodhë”, thotë Joe Ralbovsky.

Kjo situatë është krijuar prej gjuhës së paqartë në urdhërin ekzekutiv se kush nuk konsiderohet “familjar i afërt” për refugjatët që dëshirojnë të udhëtojnë drejt SHBA-së.

“Si qytetarë të thjeshtë që përpiqemi të komunikojmë me qeverinë tonë, na nxjerrin vetëm pengesa dhe mungesë njohurish për të ardhmen, në pritje të udhëzimeve të mëtejshme”, thotë Carissa Ralbovsky.

Departamenti i Shtetit dhe Zyra për Sistemimin e Refugjatëve nuk iu përgjigjën pyetjeve të Zërit të Amerikës. Por për prindërit në pritje, qeveria nuk po bën asgjë që ata të marrin këta fëmijë në shtëpitë e tyre.

“Në dhomën e gjumit që do të jetë e saja, kam vendosur grila, por jo perde, pasi dua ta takoj njëherë përpara se të vendos se çfarë ngjyre do të jenë perdet në dhomën e saj...”, thotë Irene Stevenson.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG