Lidhje

Ndërtimet e reja në hapësirën e Kullave Binjake


Nëntë vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit që rrënuan kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, as edhe një ndërtesë e vetme nuk është përfunduar në hapësirën e njohur si Kuota Zero. Por muajt e fundit, një pengesë mes autoriteteve bashkiake dhe kompanive të ndërtimit është zgjidhur dhe shfrytëzuesit e mundshëm të pesë rrokaqiejve të rinj po fillojnë të mbajnë radhën. Më së shumti përparim vërehet në Muzeun dhe Përmendoren e 11 Shtatorit, që do të zë pjesën më të madhe të hapësirës.

Në fund të muajit gusht, punëtorët filluan të rimbjellin 400 lisa në një kopsht pranë Kuotës Zero, ku vdiqën rreth dymijë e 800 vetë më 11 shtator 2001.

Hapësira trihektarëshe do të jetë përmendore për të gjithë ata që u vranë në sulmet terroriste të asaj dite në Nju Jork, Pensilvani dhe pranë Uashingtonit.

Joe Daniels është kryetar i Muzeut dhe Përmendores Kombëtare të 11 Shtatorit.

“Kemi punuar me kompaninë Port Authority këto vitet e fundit dhe është kryer një ndërtim i ndërlikuar. E çmojmë dëshirën që është shfaqur për ta kryer këtë punë. E vërteta është se është bërë goxha shumë punë viteve të fundit dhe këta lisa janë një shenjë e bukur e përparimit dhe e përkushtimit me gjithë zemër që të gjithë kanë ndaj këtij projekti.”

Lisat pritet të rriten në lartësi mbi 24 metra dhe të bëjnë hije për vizitorët që do të ecin pranë pllakave ku shruhen emrat e atyre që humbën jetën. Aty pranë, një ujëvarë do të rrjedhë mbi dy pishina pranë themeleve të dikurshme të kullave binjake.
“Të shohësh këta lisa tek lartësohen nëqiell në një ditë që nuk është aq ndryshe nga dita e 11 shtatorit 2001, kjo na përkujton se do të jetë një vend i shenjtë ku do të mbildhen njerëzit dhe jemi tejet të kënaqur me punën që është bërë.”

Ndërsa përmendorja pritet të jetë e gatshme vitin e ardhshëm, data e hapjes së muzeut të 11 Shtatorit është shtyrë për më 2013.

Zyrtarët e Nju Jorkut thonë se presin që Përmendorja dhe Muzeu të bëhen destinacione kryesore të turistëve në qytet.
Dhe disa kompani të mëdha po shprehin interesim për të marrë me qira zyra në pesë rrokaqiejt e rinj që do të ndërtohen në hapësirën e Qendrës Botërore të Tregtisë, në veçanti në “Qendrën Botërore të Tregtisë 1”. Kjo do të jetë ndërtesa më e lartë në Shtetet e Bashkuara.
Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, David Paterson, foli gjatë këtij viti për këtë çështje.

“Kur të ndërtohet, do të jetë margaritar i kurorës së Manhattanit dhe do të shërbejë si qendër financiare ndërkombëtare dhe do të tërheqë udhëtarët nga mbarë bota që duan të shohin dëshminë për fitoren e shpirtit njerëzor ndaj armiqësisë.”
E njohur më parë me emrin “Kulla e Lirisë”, Qendra Botërore e Tregtisë 1 është ngritur deri në katin e 35-të dhe nga një kat i ri po i shtohet çdo javë. Mes shfrytëzuesve të parë pritet të jetë kompania me seli në Kinë, Vantone Industrial, dhe ndërmarrja botuese e revistave Conde Nast. Sipas njoftimeve, edhe Bank of Amerika mund të vendoset në rrokaqiell – pjesërisht për shkak se ndërtimi po bëhet sipas parimeve më të fundit për ruajtjen e mjedisit.

XS
SM
MD
LG