Lidhje

Ndihma për Afganistanin shkakton shqetësime dhe vështirësi


Ndihma për Afganistanin shkakton shqetësime dhe vështirësi
Ndihma për Afganistanin shkakton shqetësime dhe vështirësi

Një studim i Kongresit ka kritikuar disa nga përpjekjet amerikane për ndihma në Afganistan duke i cilësuar ato pa fokus dhe të shpërdoruara. Por, siç njofton korrepondenti i Zërit të Amerikës Geri Tomas, ndërkohë që disa analistë thonë se problemet që nënvizohen në këtë raport janë unike për Afganistanin e përfshirë nga lufta, të tjerët thonë se këto vështirësi janë të zakonshme në përpjekjet për të ndihmuar vendet në gjithë botën që janë të përfshira nga lufta dhe kryengritjet.

Sipas raportit që u publikua ditët e fundit nga Komisioni i Senatit për Mardhëniet me Jashtë, Shtete e Bashkuara shpenzojnë rreth 320 milionë dollarë në muaj në programet e ndihmave që nuk lidhen me çështjet e sigurisë, të financuara nga Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, ose USAID. Por në raport thuhet se theksi është vënë më shumë në programet afatë-shkurtëra të stabilizimit se sa në programet e zhvillimit afatë-gjatë dhe projektet e stabilizimit.

Në një intervistë, Endriu Natsios, ish udhëheqësi i agjencisë, ka thënë se kjo ndodh pjesërisht sepse agjencia, për të cilën ai ka punuar, nuk vendos për përparësitë e ndihmës amerikane në Afganistan.

“Mendoj se problem është marxhinalizimi i agjencisë. Sipas raportit, USAID-i nuk është e pranishme në tavolinën ku merren vendimet dhe nuk është në pozitë udhëheqëse. Pra, ambasadorët dhe udhëheqësit e lartë ushtarakë thjeshtë i marrin vendimet rreth ndarjes së fondeve në vend të profesionistëve të fushës së zhvillimit. Ky është gabim i madh”.

Mark Moier, konsulent i Pentagonit dhe ish profesor i Universitetit Marine Korps, thotë se shkurtimet në Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, ashtu si në agjencitë e tjera amerikane, kanë krijuar një situatë të tillë, ku ato kërkojnë ndihmë jashtë agjencive përkatëse për të mbuluar mungesat.

“Ata po përpiqen të bëjnë punën e tyre, por nuk kanë mjaft njerëz profesionistë në agjencinë USAID, prandaj detyrohen të sjellin punonjës të përkohshëm. Por ata nuk arritur të punësojnë numër të mjaftueshëm punonjësish dhe ata që janë punësuar nuk kanë nivelin e duhur të përvojës. Shumë prej këtyre punonjësve nuk janë të gatshëm të shkojnë në të gjitha rajonet. Shumica e tyre qendrojnë në Kabul. Kështu që mbikqyrja e premtuar nuk realizohet”.

Në raport thuhet se përpjekjet amerikane për dhënien e ndihmave janë përqendruar në aftësimin e qeverisë afgane për t’u ofruar në mënyrë efikase shërbimet bazë qytetarëve të saj, përfshirë kujdesin shëndetësor, arsimin dhe shërbimet sanitare. Sipas raportit ndihma amerikane anashkalon qeverinë afgane të presidentit Karzai, duke i dhënë përparësi firmave private ndërkombëtare të ndihmave. Analistët thonë se kjo metodë e dhënies së ndihmave ka një lloj sigurie se fondet po shpenzohen në mënyrën e duhur, por minon vetëbesimin dhe aftësitë e qeverisë afgane.

Administratori i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar Raxhiv Shah, kohët e fundit ka thënë se programet e ndihmave po japin rezultate, por ndërtimi i aftësive qeveritare kërkon kohë të gjatë.

“Kemi bërë lëvizje agresive për të marrë burimet e nevojshme për ndërtimin e aftësive të qeverive lokal, dhe kemi parë më shumë rezultate direkte. Ka patur përparime në shëndetësi, arsim, në shoqërinë civile dhe punonjësit e sektori publik. Por ndërtimi i qeverisjes së mirë nuk mund të ndodhë brenda 18 muajve. Presidenti Obama ka thënë se kjo është një përpjekje që kërkon angazhimin e shumë brezave. Sekretarja Klinton i kupton dhe i vlerëson përpjekjet që ne jemi duke bërë për një strategji afat-mesme dhe afat-gjatë”.

Kudo në botë ku ka një përpjekje të madhe ndërkombëtare për rindërtim, kontraktuesit dhe agjencitë jo-qeveritare, ose organizatat jo-qeveritare që shkojnë atje, nganjëherë shpenzojnë shuma të mëdha parash për banim dhe rrogat e punonjësve. Mark Moier, i cili tani është drejtor i studimeve në organizatën Orbis Operations, thotë se rrogat e larta minojnë përpjekjet për krijimin e një qeverie efikase në Afganistan.

“Këto organizata punësojnë afganë për të punuar si përkthyes dhe u japin paga të larta. Ky veprim dëmton qeverinë pasi njerëzit që kanë punuar në qeveri ikin për të punuar në organizatat ndërkombëtare. Shumica e afganëve të arsimuar dhe të aftë, të cilët në vend që të jenë guvernatorë, mjekë ose shefa policie punojnë për kompanitë e huaja. Kjo ka ndikim negativ në qeverinë afgane”.

Raporti i Senatit paralajmëron se një ndalim i papritur i ndihmave si rezultat i kalimit të kompetencave nga komuntieti ndërkombëtar në duart qeverisë afgane mund të shkaktojë depresion ekonomik.

Por ish ambasadori afgan në Shtetet e Bashkuara Said Taib Xhauad, i cili tani po nxit zhvillimin e sektorit privat në vendin e tij, thotë se çmimet e fryera të shtëpive dhe pagat duhet të kthehen në nivelin që përputhet me realitetin.

“Të them të drejtën, niveli i pagave në Kabul dhe çmimi i shtëpive është shumë më i lartë se ç’duhet të jetë. Kështu që do të shohim një rregullim të pagave, çmimit të shtëpive dhe artikujve tjerë në Afganistan, që për mendimin tim është gjë e mirë për ekonominë afgane që të kuptojë realitetin dhe të mos varet në sasitë e mëdha të fondeve që vijnë nga jashtë”.

Shtetet e Bashkuara kanë në plan të fillojnë shkurtimin e numrit të trupave në Afgansitan në muajin korrik dhe shumica e kompetencave do të kalojnë në duart e qeverisë afgane në vitin 2014.

XS
SM
MD
LG