Lidhje

SHBA, ndikimi i debatit të parë presidencial


Demokratja Hillary Clinton shpreson të rrisë epërsinë në anketa pas debatit të parë me republikanin Donald Trump. Një anketë e zhvilluar nga rrjeti CNN dhe organizata ORC pas debatit tregon se 2/3 e të anketuarve mendonin se zonja Clinton doli më mirë në debatin e parë mes rivalëve për Shtëpinë e Bardhë. Korrespondenti Jim Malone ka përgatitur një analizë mbi ndikimin që pritet të ketë ky debat.

Hillary Clinton dukej shumë më entuziaste gjatë takimeve dje me përkrahësit në Karolinën e Veriut, një ditë pas një prezantimi të fortë në debatin e parë presidencial.

“E pa njeri debatin e mbrëmshëm? Një u krye, mbeten edhe dy të tjerë”.

Zonja Clinton e detyroi rivalin Donald Trump të hidhej në mbrojtje gjatë një pjese të madhe të debatit, duke ngritur pyetje përse ai nuk bën publike taksat dhe rolin në teoritë e konsipacionit për vendlindjen e Presidentit Obama:

“Ai në realitet e filloi aktivitetin politik bazuar në këtë gënjeshtër raciste se presidenti ynë i parë me ngjyrë nuk ishte shtetas amerikan”.

Vetëm kohët e fundit zoti Trump ka deklaruar se e pranon që presidenti ka lindur në Shtetet e Bashkuara, pasi e vinte këtë fakt në pikëpyetje prej vitesh:

Mendoj se bëra punë shumë të mirë dhe një shërbim të madh për vendin, por edhe për presidentin pasi e bëra të nxirrte çertifikatën e lindjes,” u shpreh zoti Trump.

Kandidati republikan u tha përkrahësve në Majami të martën se mendonte se debati kishte shkuar mirë, megjithëse më parë ishte ankuar për drejtuesin e debatit dhe mikrofonin.

Ai përmendi anketa që tregojnë se përkrahja për të po i afrohet nivelit të zonjës Clinton:

“Ka qenë një përvojë e shkëlqyer. Po marrim gjithnjë e më shumë përkrahje. Fitova zgjedhjet partiake në Florida dhe tani në këtë shtet jemi në krye”.

Strategjia e zonjës Clinton për ta vënë rivalin e saj në mbrojtje gjatë debatit ka dhënë rezultate thotë analisti Matthew Dallek:

“Mendoj se ishte një fitore mjaft e qartë për zonjën Clinton në disa nivele, megjithëse mbetet për t’u parë, por parashikoj se do të ketë ndikim si moment i rëndësishëm në këtë cikël të gjatë dhe tepër kompetitiv zgjedhjesh”.

Por analisti thotë se ende nuk është i qartë ndikimi i debatit tek votuesit e pavendosur:

“Nuk mendoj se debati e dëmton tek baza e tij e përkrahjes. Por është vështirë të thuhet se e ndihmon ta rrisë dhe zgjerojë këtë bazë”.

Megjithë vlerësimet pozitive, zonja Clinton ende ka punë sidomos në problemin e mungesës së besimit që shfaqin shumë votues për të. Analistja Andra Gillespi shpjegon përmes Skype:

“Asaj i duhet të gjejë një mënyrë për të krijuar imazhin e një kandidateje që gëzon më shumë besim, që ka kapërcyer disa prej gabimeve”.

Debati i ardhshëm presidencial do të mbahet më 9 tetor.

XS
SM
MD
LG