Lidhje

Ndikimi i krizës ekonomike evropiane në ekonomitë në zhvillim


Ndikimi i krizës ekonomike evropiane në ekonomitë në zhvillim
Ndikimi i krizës ekonomike evropiane në ekonomitë në zhvillim

Kriza ekonomike evropiane po sjell pasoja në të gjithë botën dhe ka shkaktuar shqetësim se nëse nuk zgjidhet së shpejti, mund të përhapet në një numër vendesh që varen tek Evropa për eksportet e tyre.

Shumë vende në zhvillim jetojnë ose vdesin ekonomikisht nga mbarëvajtja e eksporteve të tyre. Qofshin këta punëtorë që prodhojnë mjete këmbimi për makina, apo ata të industrisë së programeve kompiuterike ose fermerët në plantacionet e kafesë në Laos dhe punëtorët e tezgjahut në Egjipt, të gjithë kanë një element të përbashkët: blerësit e tyre kryesorë janë në Evropë dhe rajone të tjera të zhvilluara.

Filip de Buck është drejtor i përgjithshëm i BUSINESSEUROPE, një organizatë e Dhomave evropiane të Tregtisë.

“Për pjesën më të madhe të vendeve, Bashkimi Evropian është një ndër partnerët më të rëndësishëm, në mos më i rëndësishmi për investime, importe dhe eksporte”.

Por në kushtet kur kriza ekonomike i ka detyruar qeveritë të shkurtojnë buxhetet dhe ka ngadalësuar veprimtarinë ekonomike, shumë konsumatorëve po u zvogëlohen të ardhurat. Ky fakt po jep efektin domino në të gjithë botën.

Edhe ekonomi të mëdha si Kina nuk janë të paprekshme nga problemet e Evropës. Porti i Shangait është një nyje e rëndësishme e tregtisë së vendit, por qeveria ka njoftuar se rritja meteorike e eksporteve është ngadalësuar në shtator, si rezultat i rënies së kërkesës në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Analisti ekonomik Zolt Darvas në organizatën kërkimore Bruegel me qendër në Bruksel thotë se kërkesa e ulët ka të ngjarë të vazhdojë për vite me radhë dhe ndoshta edhe më gjatë në disa vende evropiane:

“Ndikimi do të varet në shkallë të madhe nga mënyra si menaxhohet kriza financiare në Evropë. Nëse kriza thellohet dhe Evropa përfundon në recesion të thellë, pa diskutim ndikimi do të ndjehet me efekte shumë negative në vendet në zhvillim, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të zhvilluara”.

Por ish zyrtari i Bashkimit Evropian Mario Monti vëren se Evropa ende ka ekonomi të forta dhe se problemi mund të mos jetë aq i thellë sa duket:

“Pa diskutim ka një krizë të madhe të sektorit financiar të ndërthurur me deficitin buxhetor në disa vende të eurozonës. Megjithatë, nëse e analizojmë eurozonën si një njësi të vetme, problemi është më i vogël se në Shtetet e Bashkuara, Japoni apo Britani”.

Zoti Monti beson se forca relative ekonomike e disa zonave do ta ndihmojë Evropën të kapërcejë krizën aktuale.

Por ky pohim mund të mos ofrojë shumë ngushëllim për ata që varen tek ky kontinent për të eksportuar prodhimet dhe shërbimet e tyre.

XS
SM
MD
LG