Lidhje

Ndryshimet klimatike dhe sfida për masat parandaluese


Dekadën e kaluar ishin pesë vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë; duket se kësaj do t'i shtohet edhe viti që lamë pas. 2018-a dëshmoi për rreziqet e ndryshimeve klimatike. Në vazhdim i hedhim një vështrim katastrofave që kërcënuan planetin tonë:

Në nëntor, zjarri masiv më vdekjeprurës i regjistruar ndonjëherë në Kaliforni, shkaktoi 88 viktima, një shembull i trishtueshëm që nxori në pah pasojat e ngrohjes së planetit.

"Gjërat po ndryshojnë. Njerëzit mund të thonë ç'të duan, por ata që po e përjetojnë ngrohjen globale janë zjarrfikësit. Ata po përballen çdo ditë me këtë situatë,"- tha ish-shefi për luftën kundër zjarreve masive, Ken Pimlott.

Në shtator, Uragani Florence solli shira rekord, që shkaktuan vërshime masive në Kaliforni.

Nga një anë kërcënimi nga zjarret, në anën tjetër nga uji… që i ngjan hendekut midis botës sot dhe asaj se si duhet të jetë.

Shkencëtarët e OKB-së publikuan një raport serioz në prag të bisedimeve për klimën që u mbajtën në dhjetor në Poloni.

"Mundësia për kufizimin e ngrohjes globale në 1,5 gradë celsius është e vogël. Për këtë, do të duhet që çlirimi në shkallë globale i dioksidit të karbonit të bjerë 45 për qind nën nivelin e sotëm, deri në vitin 2030. Çdo vit që kalon ka rëndësi,"- tha Hoesung Lee, që drejtoi diskutimin.

Por vitin e fundit, çlirimi i gazeve u rrit rreth 2.7 për qind, rritja më e madhe që nga viti 2011.

Shkencëtarët e qeverisë amerikane publikuan një raport po aq të zymtë në nëntor, lidhur me ndikimin e ndryshimeve klimatike në vend.

Presidenti Donald Trump e hodhi poshtë atë.

"Nuk e besoj këtë raport", - tha ai.

Zoti Trump i tha Zërit të Amerikës se pakësimi i çlirimit të gazeve do të ishte tepër i kushtueshëm:

"Nuk dua të dëmtohet ekonomia nga përpjekjet për të ruajtur disa standarte, që ndoshta nuk janë me rëndësi. Në se shohim Kinën, apo vende të tjera, ato e kanë vërtet të ndotur ajrin; ç'kuptim ka që ne të marrim masa për pakësimin e gazeve që na kushton shumë dhe ata të mos marrin masa?"

Por deri tani, përpjekjet e zotit Trump për t'i zbutur rregulloret për prodhimin e karburantit nga fosilet, kanë patur rezultate të përziera, thotë Jake Schmidt, i Këshillit të Mbrojtjes së Burimeve Natyrore.

"Është lajm i mirë, që disa nga këto rregullore janë ndaluar në gjykatë. Progresi është pak më i ngadaltë kur është fjala për ndryshimin e tyre. Por është e qartë, se administrata Trump po përpiqet të zhbëjë gjithshka që lidhet me planet për klimën në dy vitet e fundit", -tha zoti Schmidt.

Partia Republikane e zotit Trump humbi kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit. Kjo do të thotë se demokratët do të bëjnë më shumë përpjekje për ndryshimet klimatike në vitin 2019.

Ndërkohë, qëndrimi jo-miqësor i zotit Trump ndaj shkencës së ndryshimeve klimatike nuk i ndali negociatorët e OKB-së që të arrinin në dhjetor marrëveshje mbi një rregullore për zbatimin e marrëveshjes së Parisit për klimën.

Kritikët thonë se marrëveshja nuk përfshin masa të ashpëra. Megjithatë, nuk ishte lehtë që të gjitha shtetet ta miratonin atë.

"Në këto kushte, çdo hap përpara është një arritje e madhe; marrëveshja shënoi mijëra hapa të vegjël përpara nga të gjithë bashkë,"- tha kryesuesi i takimit të Parisit, Michal Kurtyka.

Por, ekspertët paralajmërojnë që hapat duhet të jenë të kujdesshëm. Rritja e taksave ndaj karburanteve për të luftuar ndryshimet klimatike shërbeu si nxitje për protestuesit me jekelë të verdhë në rrugët e Parisit.

Kush do ta paguajë koston e ndryshimeve klimatike, kur të vijë koha për të paguar faturën e mosmarrjes së masave të nevojshme? Kjo është një çështje që i përket 2019-ës e më tej.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG