Lidhje

Ndryshimet klimatike dhe zhdukja e specieve


Ndryshimi i klimës është duke transformuar planetin tonë. Nëse nuk merren masa për të pakësuar ngrohjen globale, shkencëtarët parashikojnë rritjen e nivelit të deteve, stuhi më të shpeshta dhe më të fuqishme, thatësira, zjarre dhe përmbytje. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Rosanne Skirble, një studim i ri mbi zhdukjen e specieve thekson nevojën për të ndërmarrë veprime për të shmangur efektet më katastrofike të rritjes së temperaturave.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, antilopat bongo janë në prag të zhdukjes, thotë Kate Burns, një veterinere në kopshtin zoologjik Al Bustan, në të cilin mbahen disa nga këto kafshë. Zonja Burns shpreson të shtojë numrin e tyre.

"Kanë mbetur vetëm 47 antilopa të egra, prandaj ne kemi nevojë për shtimin e popullatës së tyre për të ruajtur diversitetin gjenetik të specieve".

Njerëzit po rrezikojnë zhdukjen e kësaj specie dhe specieve të tjera. Ndërsa gjuetia luan një rol në zhdukjen e specieve, të njëjtin ndikim kanë edhe zgjerimi i zonave urbane dhe nxjerrja e naftës. Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga termocentralet, ndërtesat dhe transporti kërcënojnë biodiversitetin.

Modelet klimatike parashikojnë se temperatura e Tokës do të rritet mes 2 dhe 6 gradë celsius gjatë këtij shekulli.

Ekspertët thonë se një rritje prej 4.3 shkallësh mbi temperaturën para-industriale, është një pikë kthese e cila do të kishte ndikim shumë të rëndë në ndryshimin e klimës. Zhdukja e specieve do të intensifikohet, thotë profesori i ekologjisë në Universitetin e Konektikatit, Mark Urban.

"Kemi arritur në pikën ku 16 për qind e specieve janë në rrezik nga zhdukja. Pra, një në gjashtë specie mund të rrezikohet nga zhdukja në qoftë se ne nuk do të bëjmë asgjë në lidhje me kontrollin e çlirimit të gazeve serrë".

Zoti Urban ka bërë një analizë të 131 artikujve mbi zhdukjen e specieve që është botuar në revistën Science. Ai thotë se disa rajone të botës do të marrin një goditje më të rëndë.

"Masat e vogla tokësore luajnë një rol, vendet me shumë specie endemike si Australia dhe Amerika e Jugut. Këto specie tashmë jetojnë në rajone të kufizuara dhe një ndryshim i vogël në ato zona do të mund të rrezikonte zhdukjen e tyre".

Ndryshimi i klimës do të ndryshojë speciet dhe zonat ku ato jetojnë, paralajmëron profesori Mark Urban. Zhdukja e tyre do të përhapte sëmundje dhe do të kishte pasoja të tjera të padëshiruara.

"Për ta kuptuar sigurinë tonë ushqimore dhe sigurinë e kulturave bujqësore, është e rëndësishme të kuptojmë modelin reshjeve në të ardhmen dhe aftësinë e bimëve për t’u rritur. Ne jemi duke neglizhuar ndërveprimet biologjike. Pra, çfarë do të ndodh nëse zhduket një grabitqar i rëndësishëm i insekteve që dëmtojnë të mbjellat, dhe papritur kemi një rritje të këtyre insekteve dhe një ulje të produkteve bujqësore".

Profesori Mark Urban thotë se studimi i tij u jep politikëbërësve dhe publikut një nxitje tjetër për të miratuar strategji të reja për ruajtjen dhe mbrojtjen e specieve më të kërcënuara.

"Nuk duhet të lejojmë zhdukjen e specieve. Ne mund të bëjmë diçka të drejtë tani. Shpresoj që pas 20 vjetësh, ne do të mund të shohim prapa dhe të themi se ne arritëm të shmangim këtë fatkeqësi".

XS
SM
MD
LG