Lidhje

Në Amerikës shtohet përdorimi i mjekësisë alternative


Në Amerikës shtohet përdorimi i mjekësisë alternative
Në Amerikës shtohet përdorimi i mjekësisë alternative

Jean Ayers po i nënshtrohet trajtimit me akupunkturë, por ajo nuk është paciente e rregullt. Ajo studion për ndihmës-mjeke në Universitetin George Washington dhe një ndër kurset që ka zgjedhur për të studiuar është ai i mjekësisë integruese. Studentët e kësaj klase, inkurajohen të marrin pjesë në trajtime mjekësore:

Gjatë studimit si dihmës-mjeke, ne mësojmë të marrim parasysh të kaluarën e pacientit dhe simptomat dhe më pas të arrijmë në një përfundim mbi diagnozat e mundshme dhe ato që mund të përjashtohen, bazuar në kombinimin e simptomave dhe historisë së individit. Këtu, ndërkaq, përqendrohemi më tepër tek simptomat si tregues të mënyrës së jetesës dhe si paralajmëruese të problemeve më të mëdha.

Dr. John Pan krijoi Qendrën e Mjekësisë Integruese pranë Universitetit George Washington më 1998, pasi kishte shërbyer si gjinekolog për mbi 25 vjet. Ai thotë se qendra kryen rreth 6 mijë vizita çdo vit dhe shumica e pacientëve kanë provuar mjekësinë tradicionale para se të venë atje.

Ata kanë shkuar në klinikën Hopkins, në klinikën Mayo dhe nuk ua kanë zgjidhur problemet. U është thënë se nuk mund të bëhet asgjë dhe duhet të jetojnë me këto probleme dhe ata po kërkojnë mundësinë e fundit.

Njëri nga pacientët është Anna Sterud. Pas një beteje dyvjeçare kundër kancerit të vezores, përfshirë ndërhyrjen kirurgjike, kemoterapinë dhe një provë klinike, ajo vendosi të provojë infuzionin me vitaminën C, i cili jepet në mënyrë intravenoze.

Unë parapëlqej mënyrat e trajtimit që janë provuar shkencërisht, por kur e ndjen se koha po kalon, kupton se duhet të kërkosh edhe alternativa të tjera. Dhe kështu veprova unë.

Ndërsa më shumë amerikanë po mbështeten në këto alternativa, qeveria amerikane themeloi më 1998 Qendrën Kombëtare për Mjekësi Alternative, në kuadër të Institutit Kombëtar të Shëndetit. Dr. Josephine Briggs është drejtoreshë e qendrës:

Puna jonë këtu në Institutin Kombëtar të Shëndetit është të gërshetojmë shkencën me këto praktika interesante.

Këto janë praktika që konsiderohen si jashtë normave të pranuara ose terapisë së miratuar nga qeveria federale, sikurse janë përdorimi i suplementeve dietale, meditimi dhe joga, si dhe përshtatjet kiropraktike, akupunktura dhe masazhi. Një anketë e Institutit Kombëtar të Shëndetit, zhvilluar më 2007, tregon se 4 në 10 amerikanë përdorin njërën nga këto praktika, më së shumti për të trajtuar dhimbjet. Megjithatë, disa kritikë të mjekësisë alternative thonë se qeveria nuk duhet të financojë punën kërkimore në këtë fushë. Dr. Briggs nuk pajtohet:

Kujtoj se interesimi i amerikanëve për këto praktika është arsye e mjaftueshme për studimin e tyre. Ne mundohemi sa më shumë që në faqen tonë të internetit të ofrojmë informacion të besueshëm rreth metodave. Ky material shqyrohet me kujdes nga kolegët dhe ekspertët shkencorë. Por ne nuk themi në mënyrë të pavarur se kjo, apo ajo kurë është zgjidhja e përkryer që duhet ta përdorni. Ose kjo nuk bën dhe nuk duhet ta përdorni. Ne ua lëmë këtë ekspertëve dhe mbështetemi në vlerësimin e tyre.

Testimi i disa terapive alternative mund të jetë i vështirë. Për shembull, shkencëtarët akoma nuk e kanë të qartë se si funksionon akupuntura:

Ndoshta nxitja e drejtpërdrejtë e sistemit nervor ndikon tek mënyra si organizmi e përjeton dhembjen. Por ndoshta ndikim ka edhe fakti se pacienti pret që t’i iki dhimbja dhe praktikuesi e siguron për këtë; pra trajtimi mund të ndikojë si lloj rituali. Disa njerëz e quajnë efekti placebo. Nëse ndihmon, megjithatë, ia vlen të dimë për të dhe hulumtuesit tanë po merren me këtë çështje.

Dr. Deirdre Orceyre është njëherësh mjeke natyropatike dhe praktikuese e mjekësisë kineze në Qendrën e Mjekësisë Integruese. Ajo nganjëherë përdor akupunkutrën për pacientët e saj.

Përpiqem që sa më shumë ta përdor së bashku me modelin perëndimor, qoftë natyror apo konvencional, si dhe ta përdor si mundësi dhe mënyrë për shërim. Çmoj mundësinë për ta përdorur atë bashkë me praktikat konvencionale. Nuk është se duhet të zgjedhim ose këtë ose atë.

Kjo është filozofia e mjekësisë integruese për të plotësuar trajtimet perëndimore me metoda tjera:

Për mua ishte e rëndësishme që t’i provoja të dyja, sepse besoj në metodat e pranuara shkencërisht. Por desha të përdor disa terapi që u hapin mendjet onkologëve, të cilët përndryshe janë të palëkundur.

Zonja Sterud gëzohet që onkologu i saj është mendjehapur. Ai e ka lutur atë që t’i sjellë informata rreth Qendrën për Mjekësinë Integruese për t’i ndarë ato me pacientë të tjerë që vuajnë nga kanceri.

XS
SM
MD
LG