Lidhje

Në javën e modës në Nju Jork, u shpall krijimi i “Aleancës së Modelëve”


Në javën e modës në Nju Jork, u shpall krijimi i “Aleancës së Modelëve”
Në javën e modës në Nju Jork, u shpall krijimi i “Aleancës së Modelëve”

Më 9 shkurt, ditën e ditën e hapjes së Javës së Modës për sezonin e pranverës, disa modele në Nju Jork bënë publike krijimin e një grupi për mbrojtjen e drejtave të modelëve. Ky grup i quajtur “Aleanca e Modelëve” kërkon të drejta në vendin e punës, mbrojtje ndaj shfrytëzimit financiar, zbatimin e ligjit të punës si dhe mbrojtje nga abuzimi seksual.

Sara Ziff nisi karrierën e e modeles kur ishte 14 vjeç. Deri në moshën 21 vjeçare ajo kishte punuar për stilistët më të njohur. Imazhi i saj ishte kudo në Manhaten tek reklamonte veshje siç tregohet në dokumentarin e vitit 2009 me titull “Picture me”.

“Mënyra se si ngjaj e veshur me këto rroba është e çuditshme. Nuk mendoj se jam vetvetja e veshur kështu”.

Ka një anë të shëmtuar në biznesin e modës dhe pikërisht kjo e frymëzoi Sarën që të themelonte një organizatë. Ajo e mori idenë gjatë një ore mësimi në Universitetin e Columbias.

“ Duke lënë mënjanë fasadën vezulluese të industrisë, realiteti për një model është krejtësisht tjetër”.

Në një festë të Javës së Modës për stinën e Pranverës në Nju Jork, Sara Ziff bëri publike organizatën “Aleanca e Modelëve” me një dokumentar të shkurtër ku ishin pjesmarrës anëtarët e kësaj organizate.

Sara thotë se zakonisht modelët shihen si kontrakorë të pavarur ndaj shumë rregulla që vlejnë për të punësuarit ose nuk aplikohen ose injorohen për ta - si për shembull ligji për punën e të miturve që mbron ata që punojnë nën moshë.

“ Disa njerëz mund të habiten e të pyesin se pse duhet të organizohen modelët? Ata mund të medojnë se industria e modës është një biznes i pavlerë. Por fakti është se kjo është punë si të tjerat dhe ne duam të kemi mbrojtjen e ligjit si në çdo punë tjetër”.

Shumë modelë e nisin këtë punë në një moshë të hershme, duke u larguar shpesh herë nga familja apo dhe vendi i tyre.

Sara thotë se ata punojnë me orë të zgjatura, duke marrë shpesh herë vetëm veshjet si pagesë. Ata paguhen kaq pak sa janë në borxhe me agjencitë e modës. Edhe abuzimi seksual është problem sipas Aleancës së Modelëve dhe ky problem po publikohet sëbashku me një proces ankesash.

“ Karrierat fitimprurëse të supermodelve të profilit të lartë si Giselle apo Kate Moss, japin idenë e gabuar të realitetit për shumicën e modelëve që shpesh janë fare të rinj, nga Europa Perëndimore apo Brazili . Shpesh anglishtja nuk është gjuha e tyre e parë dhe ata janë shumë të pambrojtur”.

Agjencia Marilyn, e cila përfaqëson Sara Ziffin, mbështet përpjekjet e Aleancës. Stilistja Diane von Furstenberg, presidente e Këshillit të Stilistëve të Amerikës, thotë se modelët duhet të jenë të paktën 16 vjeç dhe privacia e tyre - kur vishen apo ndërrojnë veshjet gjatë sfilatave- duhet të respektohet.

Ajo thotë se shumë agjenci mode kanë premtuar se nuk do të përdorin modelë nën moshën 16 vjeçare.

Por pyetja e Zërit të Amerikës drejtuar agjencive për detaje rreth këtij premtimi, nuk mori përgjigje.

Ndërsa Sara thotë se Aleanca e Modelëve nuk është sindikatë, ajo shpreson se modelët një ditë do të jenë në gjendje që të përdorin forcën e tyre të përbashkët për paga dhe kushte pune më të mira.

XS
SM
MD
LG