Lidhje

Në Nju Jork hapet ekspozita e artistit disident kinez Ai Uei Uei


Në Nju Jork hapet ekspozita e artistit disident kinez Ai Uei Uei
Në Nju Jork hapet ekspozita e artistit disident kinez Ai Uei Uei

Një numër skulpturash të titulluara “Rrethi i kafshëve/Kokat e Kalendarit Zodiak”, vepra të artistit kinez Ai Weiwei, po tërheqin një numër të madh vizitorësh në Nju Jork, i pari mes 5 qyteteve amerikane ku ato do të ekspozohen. Skulpturat u bënë sidomos të njohura për shkak të arrestimit të artistit kohët e fundit nga autoritetet kineze, në kuadrin e masave shtypëse ndaj disidentëve. Një tjetër element politik i ekpozitës, është se ajo bazohet tek një kapitull i dhimbshëm i historisë së Kinës.

Veprat e piktorit kinez Ai Wei Wei dallohen mes grataçielave që rrethojnë shatërvanin tek ndërtesa Pulicer në Avenunë e 5-të të Nju Jorkut. 12 kokat prej bronzi përfaqësojnë kafshët e Kalendarit Zodiak kinez. Artisti është frymëzuar nga koka të ngjashme të grabitura nga trupat britanike dhe ato franceze në vitin 1860 tek një pikë pushimi e perandorëve gjatë Luftës së Dytë të Opiumit. Ishte kjo një periudhë e turpshme në historinë e Kinës. Një vizitor shkruan se lidhja me historinë i shton emocionet që përjeton kur viziton ekspozitën. Por piktori Ai thotë se publiku mund të kënaqet thjesht duke parë skulpturat, edhe pa ditur historinë e tyre.

"Më pëlqen shumë. Patjetër që është shumë tërheqëse. Ne po kalonim me autobus dhe e vumë re menjëherë. Thamë ”Ç’është kjo, nuk e kemi vënë re më parë”.

Autoritetet kineze e arrestuan muajin e kaluar piktorin Ai, nën akuzat se ai ka kryer krime ekonomike, por pa i përmendur ato. Ai Wei Wei është mes dhjetra artistëve, gazetarëve, juristëve dhe aktivistëve kinezë të të drejtave të njeriut, të arrestuar gjatë masave shtypëse ndaj disidentëve kinezë. Analistët politikë thonë se arrestimi i tij duket se synonte parandalimin e përhapjes në Kinë të kryengritjeve të ngjashme me ato të Lindjes së Mesme. Ekspozimi në Shtetet e Bashkuara i “Kokave të Zodiakut” u planifikua shumë para arrestimit të piktorit Wei Wei. Melissa Chiu, drejtoreshë e Muzeut të Artit Aziatik në Nju Jork shprehet me admirim për ekspozitën.

"Mendoj se vendosja e ekspozitës tek një ndërtesë me shatërvan, që të kujton Kokat origjinale të Zodiakut në Pallatin e lashtë të Verës, ishte një ide e shkëlqyer".

Në kushtet kur Ai Wei Wei nuk vjen dot për të qenë i pranishëm në ekspozitë, artistë të njohur dhe Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Majkëll Blumberg folën para hapjes së ekpozitës. Kryetari i Bashkisë Blumberg tha se të gjithë artistët rrezikojnë të dështojnë, të kritikohen nga publiku. Por artistë si Ai, që vijnë nga vende ku nuk vlerësohet dhe mbrohet fjala e lirë, rrezikojnë edhe më tepër.

"Dëshira e tij për të marrë mbi vete rreziqe të tilla, dhe për t’u përballur me pasojat, flet jo vetëm për kurajon, por edhe për dëshirën e tij të pakapërcyeshme për liri, të cilën e ka brenda vetes çdo qenie njerëzore".

Melissa Chi e Shoqatës së Azisë thotë se në mënyrë ironike, artisti dhe qeveria kineze janë të një mendimi lidhur me rëndësinë kulturore të Kokave të Zodiakut. Punimet artistike të Ai Weiwei-it tërheqin vëmendjen për origjinalet e vjedhura. Ndërsa disa prej tyre janë gjetur, qeveria kineze do që të gjitha punimet e tjera që mungojnë të kthehen. Skulpturat po tërheqin një numër të madh vizitorësh nga Shtetet e Bashkuara dhe madje edhe nga jashtë vendit.

"Më pëlqejnë shumë këto skulptura. Janë të mrekullueshme.

Ekspozita me skulpturat e artistit kinez Ai Weiwei pas Nju Jorkut do të hapet në Los Anxhelos, Huston, Pittsburg dhe pastaj në Washington.

XS
SM
MD
LG