Lidhje

Në SHBA shtohen rastet e lindjeve me mami në shtëpi


Karen Kramer me vajzën, Stella Grace, pak pas lindjes në shtëpi
Karen Kramer me vajzën, Stella Grace, pak pas lindjes në shtëpi

Në shumë shoqëri, vazhdon prej shekujsh tradita e mamive që ndihmojnë gratë të lindin në shtëpi. Por në Shtetet e Bashkuara, profesioni i mamisë filloi të zhdukej me shtimin e numrit të mjekëve dhe spitaleve në vend. Nga viti 1935, 90 për qind e të gjitha lindjeve në Shtetet e Bashkuara realizoheshin në spital dhe në vitet 50, pjesa më e madhe e shteteve amerikane e kishin nxjerrë jashtë ligji praktikën e lindjeve në shtëpi me ndihmën e mamisë. Por ligjet kanë filluar të ndryshojnë në ditët tona dhe praktika e lindjeve në shtëpi po rishfaqet. Në vazhdim mësojmë për rishfaqjen e kësaj praktike në shtetin Tenesi:

Këto janë tingujt e një revolucioni në traditën amerikane. Një mami po i bën vizitë Karen Kramer, e cila kanë në plan të lindë në shtëpi. Dikur kjo ishte një zgjedhje e pazakontë në Shtetet e Bashkuara.

Zonja Kramer i lindi dy fëmijët e parë në një mënyrë më tipike, në spital me ndihmën e mjekut.

Por kur lindi fëmijën e dytë, tregon Karen, infermieret ia morën fëmijën dhe nuk e pa për 3 orë. Ajo thotë se foshnja nuk kishte probleme, por infermieret ishin tepër të zëna dhe s’patën kohë ta sillnin fëmijën:

“Gjithë atë kohë po mendoja – si ka mundësi që linda fëmijën e dytë dhe nuk kam mundësi as ta mbaj në krahë, as ta ushqej. Nuk isha me fëmijën gjë që ishte shumë e rëndë për mua”,- thotë ajo.

Kjo përvojë bëri që Karen të zgjedhë këtë radhë lindjen në shtëpi me ndihmën e mamisë. Ky s’është rast i veçuar. Çdo vit në Shtetet e Bashkuara ka rreth 50 mijë lindje të tilla.

Vetëm 1 për qind e lindjeve realizohen jashtë spitalit, por lindjet në shtëpi po shtohen me ritme rreth 3 për qind në vit.

Mamia Mary Anne Richardson thotë se nuk i përballon dot të gjitha kërkesat:

“Më vjen kaq keq kur njerëzit më telefonojnë e detyrohem t’u them se nuk kam më kohë për paciente të tjera për një muaj të caktuar. Po ashtu, nuk ka një numër të mjaftueshëm mamish për të përballuar kërkesat”.

Kjo mami ndihmoi Amy Hamiter të lindte fëmijën e vogël. Zonja Hamiter thotë se njerëzit tronditen kur mësojnë se ajo ka lindur në shtëpi, pa mjek:

“Njerëzit mendojnë se ne lindim në shtëpi, krejt vetëm, në ndonjë cep dyshemeje. Ata s’e kuptojnë se kemi pranë mami të kualifikuara, që e njohin zanatin”.

Dr. Mavis Schorn po përpiqet t’i ndryshojë këto perceptime. Ajo drejton një program për kualifikimin e mamive në Universitetin Vanderbilt në Tenesi. Dr. Schorn thotë se shumë amerikanë vazhdojnë ta konsiderojnë lindjen si diçka të frikshme, si një ndërlikim mjekësor dhe jo si një proces i natyrshëm:

“Vazhdon të ekzistojë ideja se sa më shumë teknologji, aq më mirë do të jemi dhe se po të pajisim njerëzit më të kualifikuar me teknologjinë më të përparuar do të kemi rezultate më të mira. Por nuk është e vërtetë në të gjitha rastet”, - thotë mjeku.

Dr. Schorn thotë se lindjet në shtëpi janë po aq të sigurta sa ato në spital dhe se komplikacionet e rrezikshme për jetën në lindjet në shtëpi janë të rralla.

Por ndërlikimet e papritura përfundojnë shpesh në spital.

Kolegji Amerikan i Mjekëve Obstetër i cilëson lindjet në shtëpi si diçka që po konsiderohet e modës, por që shoqërohet me rrezik dhe thotë se përqindjet e vdekjes së foshnjës janë shumë më të larta në lindjet në shtëpi. Por organizatat e mamive e hedhin poshtë këtë deklaratë.

Megjithatë, në 10 shtete amerikane lindja me mami është ende e paligjshme.

Por Amy Hamiter është shumë e vendosur në bindjen e saj. Ajo përpiqet të bindë gra të tjera që ta provojnë këtë alernativë për lindje:

“Lindja nuk ka përse të jetë një proces i madh mjekësor. Pa dyshim ka raste kur operacioni është i domosdoshëm për të shpëtuar jetë. Por nëna me fëmijën do të jenë shumë mirë edhe me mami”.

Mjekët paralajmërojnë se lindjet në shtëpi janë të përshtatshme për gra që s’kanë probleme shëndeti dhe që në lindjet e mëparshme nuk kanë pasur komplikacione.

Si në rastin e Karen Kramer, e cila me ndihmën e mamisë, lindi në shtëpi fëminë e tretë, një vajzë të pagëzuar Stella Grace.


XS
SM
MD
LG