Lidhje

Beteja për konfirmimin e gjykatësit Neil Gorsuch


Që nga momenti kur Presidenti Donald Trump prezantoi kandidatin e tij për anëtar të Gjykatës së Lartë, gjykatësin Neil Gorsuch është parë qartë se beteja e konfirmimit të tij në Senat do të jetë e ashpër mes republikanëve që mbështesin atë dhe demokratëve që janë kundër. Disa demokratë e kanë shprehur qartë qëndrimin e tyre kundër gjykatësit Gorsuch. Ndërkohë Presidenti Trump po u bën thirrje republikanëve të ndryshojnë rregullat e Senatit nëse është e nevojshme për të garantuar konfirmimin e tij. Republikanët nuk vonuan të shprehun vlerësimin e tyre, përfshirë kreun e shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell.

“Mendoj se presidenti ka bërë një zgjedhje të mrekullueshme dhe ne të gjithë jemi të entuziazmuar dhe presim me padurim të fillojmë procesin e konfirmimit”.

Presidenti Trump tha se ai e emëroi zotin Gorsuch për të plotësuar premtimin e fushatës për të emëruar një konservator të vërtetë në gjykatën e lartë.

Zoti Gorsuch u angazhua të jetë një gjykatës i pavarur, nëse konfirmohet:

“Kur ne gjykatësit veshim togat, nuk bëhemi më të zgjuar. Por shërben si një kujtesë për atë që pritet nga ne: paanshmëri dhe pavarësi, kolegjialitet dhe kurajo”.

Por demokratët e senatit po bëhen gati për betejë dhe disa prej tyre janë kundër tij që para konfirmimit:

“Kjo administratë, duket se ka më pak respekt për shtetin ligjor se çdo administratë e dekadave të fundit dhe po e sfidon kushtetutën në një mënyrë të pashembullt”.

Demokratët mund të përpiqen ta bllokojnë zotin Gorsuch, përmes një metode që pengon vazhdimin e seancave, e përdorur më parë për bllokime emërimesh.

Republikanët kanë një shumicë të ngushtë 52 me 48 në senat dhe për të zhbllokuar seancën duhen 60 vota.

Disa Republikanë thonë se mund të përdorin të ashtuquajturën “alternativë nukleare” për të ndryshuar rregullat e senatit për të eliminuar bllokimin.

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump nuk la shumë vend për interpretim se do ta nxiste zotit McConnell të ndryshojë rregullat e Senatit nëse është e nevojshme për të konfirmuar zotin Gorsuch:

“Nëse e gjejmë veten të bllokuar, do të thoja së nëse mundeni, përdorni variantin nuclear”.

“Alternativa nukleare” është një emërtim që i referohet një lëvizjeje të mundshme nga republikanët për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme rregullat e Senatit, në mënyrë që emërimi i gjykatësit Gorsuch të mund të miratohet me një shumicë të thjeshtë në Senatin me 100 anëtarë, në vend të 60 votave që duhen me rregullat aktuale. Dhe ka precedentë për këtë metodë: Në vitin 2013, kur demokratët kishin shumicën nën udhëheqjn e Senatorit Harry Reid, ata bënë të mundur ndryshime që e ulnin numrin e votave për çdo kandidat përveç atyre të Gjykatës së Lartë.

Përjashtimi ishte një kompromis për të bindur demokratët që nuk ishin në favor të ndryshimit të rregullave.

Disa demokratë përfshirë kreun e demokratëve në Senat janë penduar sepse ky ndryshim po bën sot të mundur miratimin e kandidaturave të kabinetit të zotit Trump me shumicë të thjeshtë. Do të ishte një alternative eksplozive sepse tradicionalisht Senati ka vepruar me konsensus dhe madje ta heqë fare mundësinë e bllokimit përmes zvarritjes së seancave edhe për legjislacione.

Vitin e kaluar, republikanët bllokuan kandidatin e Presidentit Barack Obama për në gjykatë, Merrick Garland, duke i indinjuar demokratët.

Debati i pritshëm për zotin Gorsuch është i fundit në një sërë emërimesh me ngarkesa politike në Gjykatën e Lartë që filluan me betejën e vitit 1987 për gjykatësin Robert Bork.

Zoti Bork ishte emëruar nga Presidenti Ronald Reagan por demokratët votuan kundër tij në Senat:

“42 pro, 58 kundër. Kandidatura nuk konfirmohet.”

Një tjetër betejë e ashpër erdhi në vitin 1991 kur demokratët kundërshtuan kandidaturën e të emëruarit Clarence Thomas, për shkak të akuzave për sjellje të papërshtatshme.

Zoti Thomas arriti të konfirmohej dhe vazhdon të jetë në Gjykatën e Lartë.

Nëse konfirmohet, zoti Gorsuch do të zinte vendin e gjykatësit Antonin Scalia që vdiq papritur vitin e kaluar. Zoti Scalia konsiderohej zëri kryesor i mendimit konservator në Gjykatë dhe zoti Gorsuch shprehu vlerësimin e tij të lartë për të gjatë ceremonisë për njoftimin e kandidaturës së tij në Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG