Lidhje

Nënpresidenti Bajden fillon bisedimet zyrtare në Pekin


Nënpresidenti Bajden fillon bisedimet zyrtare në Pekin
Nënpresidenti Bajden fillon bisedimet zyrtare në Pekin

Nënpresidenti amerikan dhe ai kinez filluan bisedimet e tyre zyrtare në Pekin duke deklaruar se nga marrëdhëniet më të mira midis vendeve të tyre mund të përfitojë e gjithë bota.

Zëvendës presidentët Joe Biden dhe Xi Jinping zhvilluan bisedime kokë më kokë pas një pritjeje me qilim të kuq në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin.

"Në situatën e re të tanishme, Kina dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një interes më të gjerë të përbashkët. Ne gjithashtu duhet të marrim mbi vete përgjegjësi të përbashkëta më të rëndësishme. Kjo është një pritshmëri e përbashkët e popujve të Kinës dhe të Amerikës si dhe e njerëzve të të gjithë botës që dy vendet tona të zhvillojnë një bashkëpunim më të ngushtë."

Zoti Bajden u përgjigj se qendrueshmëria ekonomike e botës varet nga bashkëpunimi mes dy vendeve.

``Unë do të thosha se në hapësirën e gjerë të historisë kineze, është bërë më tepër përparim mes viteve 1979 dhe 2011 se ndoshta në çdo periudhë tjetër të historisë suaj. Është diçka e mahnitshme.''

Bisedimet u përqëndruan në çështjet ekonomike. Synimi i zotit Bajden ishte të përpiqej të siguronte homologun e tij se Shtetet e Bashkuara janë ekonomikisht të shëndetshme dhe se investimet kineze janë të sigurta.

Zyrtarët amerikanë thonë se një nga qëllimet e vizitës së nënpresidentit është të njihet me brezin e ardhshëm të udhëheqësve kinezë, duke përfshirë edhe zotin Xi i cili pritet t’i zerë vendin zotit Hu Jintao si president. Dy nënpresidentët do të udhëtojnë së bashku të shtunën në provincën jugperëndimore të Sichuanit.

Të premten, zoti Bajden do të takohet me Presidentin Hu dhe kryeministrin Wen Jiabao, si dhe do të marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët mes personaliteteve kineze dhe amerikane të biznesit.

XS
SM
MD
LG