Lidhje

Vështirësohen përpjekjet e shpëtimit në Nepal


Të mbijetuarit e tërmetit në Katmandu të ulur në tenda dhe nën strehët e banesave për t'u mbrojtur nga shiu i rrëmbyer janë sot të nervozuar nga mungesa e ndihmës së qeverisë pas tërmetit shkatërrimtar të fundjavës që la më shumë se 4 mijë të vdekur.

Një seri pasgoditjesh, shkatërrimet e mëdha nga tërmeti, infrastruktura e dëmtuar dhe mungesa e fondeve kanë ngadalësuar përpjekjet e shpëtimit në Nepal, këtë vend të varfër malor.

Shumë njerëz në mbarë Nepalin po përgatiten të kalojnë natën e katërt jashtë, me shtëpitë e tyre të rrafshuara apo të kërcënuara nga pasgoditjet që kanë përhapur më shumë frikë mes popullatës së traumatizuar.

Në kryeqytetin Katmandu dhe gjetkë, mijëra njerëz flenë në rrugë dhe parqe, shumë prej tyre nën tenda.

“Tërmeti ishte i fortë dhe ne nuk dimë ku të rrimë. Shtëpitë janë shkatërruar. Pas rafshimit të shtëpive, fëmijët e vegjël dhe gratë e moshuara duhet të rrinë jashtë. Askush nuk kujdeset për ne. Na duhet të qëndrojmë jashtë në një vend të vogël të mbuluar nga pluhuri. Jemi të frikësuar pa ditur ku të shkojmë”, thotë Namrata Adsikrpn, një 30 vjeçare nga Katmanduja.

Në kryeqytet , të rinjtë dhe të afërmit e viktimave po kërkojnë nëpër rrënojat e ndërtesave të shkatërruara, shumica pa doreza, në kërkim të të zhdukurve.

Shirat po i vështirësojnë përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit.

47 vjeçari Anil Razssrdes, shtëpia e të cilit është shkatërruar, po pushon në një tendë së bashku me 13 anëtarët e familjes së tij.

“Këtu jemi rreth 100 njerëz. S’kemi ushqime, ujë. Nuk kemi asgjë. Rrimë këtu që nga dita e parë. Është dita e pestë dhe asnjë ndihmë nuk po na vjen nga qeveria.”

Kryeministri tha të martën se numri i të vdekurve mund të arrijë në 10 mijë.

Sipas ministrit të brendshëm, numri i konfirmuar i të vdekurve tani është 4,349 me më shumë se 7 mijë të plagosur.

Kombet e Bashkuara thonë se 8 milionë njerëz janë prekur nga tërmeti dhe 1.4 milion kanë nevojë për ushqime.

XS
SM
MD
LG