Lidhje

Mijëra të vdekur nga tërmeti në Nepal


Një termet i fuqishëm prej 7.8 ballësh ka goditur kryeqyetetin Katmandu të Nepalit sot, duke shkaktuar viktima dhe shkatërrime të mëdha. Ka njoftime për mijëra të vdekur dhe të plagosur. Pritet që numri i të vdekurve dhe plagosurve të rritet.

Operacionet e shpëtimit po kërkojnë për viktima poshtë rrënojave të ndërtesave të shkatërruara, ndërkohë që disa njerëz po trajtohet në vend ngjarje dhe disa të tjerë po dërgohen nëpër spitale me gjymtyrë të thyera dhe plagë të tjera serioze.

Gazetari Tom Bell i cili jeton në kryeqytetin nepalez Katmandu foli me telefon me agjencinë e lajmeve Associated Press.

“Toka u lëkund me fuqi të madhe për ndoshta 30 sekonda. Unë isha përjashta kur ndodhi dhe pemët po përkuleshin si të çmendura”.

Lëkundjet e fuqishme të termetit që ndodhi para drekës sipas orës lokale, bënë që njerëzit të dilnin nëpër rrugë të frikësuar. Zyrtarët thonë se termeti u ndje edhe në disa qytete në veri të Indisë, në Tibet dhe Bangladesh, ku ka patur njoftime për viktima.

Lëkundjet e forta që shkatërruan tempuj shekullorë po ashtu kanë shkaktuar një ortek dëbore në malin e Everestit duke bllokuar disa alpinistë dhe mesa duket kanë shkaktuar të plagosur. Ky është termeti më i fuqishëm që ka goditur këtë vend të varfër të Azisë Jugore në më shumë se 80 vjet.

Disa qindra njerëz janë konfirmuar se kanë humbur jetën, përfshirë mbi 180 njerëz vetëm në kryeqytetin e vendit Katmandu, sipas policisë.

Televizioni nepalez tregonte pamje të trupave të viktimave nëpër rrugë në Katmandu, ndërsa në pjesë të tjera të qytetit të plagosurit po merrnin ndihmën e parë mjekësore.

Një pasgoditje me fuqi 6.6 ballë u ndje pas një ore nga tërmeti fillestar.

Ndër ata që kanë mbijetuar ka shumë të dëmtuar rëndë. Ndërkaq ka njoftime që nën rrënojat e një kulle të shekullit të 19 mund të ketë dhjetëra të bllokuar.

XS
SM
MD
LG