Lidhje

Një këngë e re siguron fonde për Ebolën


Që në orët e para të postimit në internet, një këngë e re e regjistruar gjatë fundjavës ka realizuar shitje voluminoze dixhitale në një përpjekje për të grumbulluar fonde në luftën kundër Ebolës.

Artisti britanik Bob Geldof arriti të sigurojë bashkëpunimin e emrave të tjerë të njohur të muzikës si Bono dhe Chris Martin për të regjistruar në Londër kompozimin e ri për fushatën e bamirësisë.

Kënga dhe videoja shoqëruese u realizuan gjatë fundjavës dhe u postuan në internet sot në mëngjes.

Fondet e grumbulluara do të mblidhen në Trustin Band Aid për të ndihmuar në luftën kundër Ebolës.

Bob Geldof ka tashmë eksperiencë të madhe në organizime të tilla, pas regjistrimit të realizuar në vitin 1984 me artistë si Boy George, George Michael, Bono dhe Sting për të luftuar urinë në Etiopi.

Regjistrimi i ri do të jetë i disponueshëm edhe në formën e një CD-je dhe do të dalë për shitje më 8 dhjetor.

XS
SM
MD
LG