Lidhje

Ngadalësohet rritja ekonomike e Gjermanisë


Ngadalësohet rritja ekonomike e Gjermanisë
Ngadalësohet rritja ekonomike e Gjermanisë

Rritja ekonomike në Gjermani është ngadalësuar ndjeshëm nga Prilli në Qershor, sipas të dhënave të botuara të martën. Njoftimi doli ndërsa kalancelarja gjermane Angela Merkel po përgatitej për takimin me Presidentin francez Nikola Sarkozy për të biseduar mbi ekonominë.

Gjermania njoftoi se ekonomia u rrit me vetëm 0,1 përqind në tremujorirn e dytë, shumë më pak nga sa pritej.

Bankieri Oliver Roth në Gjermani thotë se ky nuk është një njoftim i mirë.

“Fakti që prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar në Gjermani ishte më i ulët se parashikimi, bën që të shtohen shqetësimet se krizës së borxheve mund t’i shtohet edhe kriza ekonomike.”

Borxhet kombëtare ishin në qendër të bisedimeve midis Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit francez Nikolas Sarkozi.

Një prej zgjidhjeve të propozuara nga disa për problemin e borxheve është, që eurobondet t’u shiten investitorëve që kanë mbështetjen e gjithë eurozonës dhe jo vetëm të vendeve të veçanta. Deri tani Gjermania e ka kundërshtuar këtë plan.

Bankieri Roth thotë se ai shpreson që Gjermania të mos ndryshojë qëndrim.

“Ai thotë se shpreson që zonja Merkel të mos e ndryshojë qëndrimin e saj për eurobondet, pasi sipas bankierit, eurobondet mund të qetësonin tregjet në një periudhë afat-shkurtër, por në një periudhë afat-gjatë, do të shkaktonin më shumë dëm”.

Tre vende të eurozonës kanë patur nevojë për paketa ndihmash që të ishin në gjendje të vazhdonin pagimin e borxheve. Disa kanë ngritur shqetësime se Italia dhe Spanja mund ta gjejnë veten në të njejtën situatë dhe javën e kaluar investitorët i shitën në masë aksionet e bankave franceze mes frikës se shkalla e vlerësimit të kreditit të Francës do të ulej.

Analistët thonë se rreziku më i madh është se kriza e borxheve që u përhap në vendet periferike, mund të godasë tani në qendër të eurozonës.

Investitori miliarder Xhorxh Soros tha se shpërbërja e eurozonës mund të fillojë të duket në horizont, në se nuk ndërmerren ndryshime të mëdha. Duke folur për BBC-në, ai tha se eurobondet janë zgjidhja më e mirë.

“Euro duhet të jetë funksionale, por që kjo të ndodhë, duhet që vendet si Italia dhe Spanja të jenë në gjendje të ristrukturojnë borxhet kombëtare me shkallë interesash të arësyeshme dhe rruga më e mirë për ta bërë këtë, është përmes eurobondeve.”

Gjermania nuk është vendi i vetëm evropian ekonomia e të cilit është në vështirësi, gjithë eurozona pati një shkallë rritjeje ekonomike prej 0,2 përqindësh në tremujorin e dytë, një ulje kjo nga 0,8 përqind që ishte në tremujorin e parë.

XS
SM
MD
LG