Lidhje

Të paktën dhjetë të vrarë në Nikaragua


Ditë të tëra protestash në Nikaragua kundër ndryshimit të sistemit të sigurimeve shoqërore të vendit rezultoi në vdekjen e të paktën 10 personave. Ndër viktimat është edhe një gazetar i cili u vra ndërsa ishte në transmetim të drejtpërdrejtë në Facebook. Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, në Nikaragua janë vrarë 25 persona që kur filluan protestat.

Gjatë një fjalimi në televizionin kombëtar, Presidenti Daniel Ortega tha se është i hapur për negocime, në mënyrë që të “mos ketë më terror në familjet nikaraguane”.

“Përfaqësuesit duhet të ulen në tryezën e bisedimeve. Çështja parësore duhet të jetë sigurimet shoqërore, për të cilat duhet parë se çfarë reforme mund të arrihet”, tha Presidenti i Nikaraguas.

Menjëherë pas fjalimit të tij, demonstruesit dolën sërish nëpër rrugët e disa qyteteve, përfshirë kryeqytetin Managua, megjithëse u duk sikur tensionet ishin qetësuar një ditë më parë.

Mbrëmë, gazetari Angel Gahona po mbulonte drejtpërsëdrejti në Facebook zhvillimet në qytetin Bluefield, kur ai u vra. Në pamjet e qarkulluara në mediat sociale, dëgjohen krisma armësh, ndërsa Gahona bie në tokë dhe dëgjohen zërat e disa njerëzve që i thërrasin.

Presidenti Ortega është një ish-luftëtar guerrilas, ndërsa Nënpresidente e vendit është vetë bashkëshortja e tij, Rosario Murillo.

Një vendim gjykate i mundësoi zotit Ortega të rikandidonte në vitin 2011, megjithëse Nikaragua kishte një kufizim prej vetëm një mandati për postin e presidentit të vendit. Tre vjet më vonë, partia e tij Fronti Çlirimtar Kombëtar Sandinista, siguroi mbështetje legjislative për të miratuar një amendament që lejon një numër të pakufizuar mandatesh presidenciale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG