Lidhje

Nis restaurimi i Kishës mesjetare të Labovës

  • Raimond Kola

Kisha e Shën Mërisë në Labovën e Kryqit në Gjirokastër, një nga monumentet më me vlerë të arkitekturës mesjetare shqiptare, ka nisur të restaurohet pas gjendjes kritike në disa pjesë të saj.

Restaurimi synon përforcimin e themeleve, përtëritjen e çatisë dhe përforcimin e një prej kupolave që ka marrë anim duke humbur ekuilibrin ndërtimor. Projekti i Institutit të Monumenteve parashikon një financim prej gati 200 mijë dollarësh.

Kisha e Labovës vlerësohet si një prej monumenteve më të rralla historike, fetare e kulturore të Shqipërisë. Për periudhën e ndërtimit të saj supozohen disa kohë të ndryshme të dhëna nga studiues të ndryshëm. Një datim është ai që shpjegon se Kisha u ngrit me shpenzime perandorake në periudhën e Justinianit të madh. Viti 1554 është i gdhendur edhe mbi portën e vjetër të kishës, por mendohet se ky vit i përket kohës së rindërtimit mbi themelet e vjetra.

Kisha e Shën Mërisë njihet gjithashtu si një prej 40 kishave të para, të ndërtuara në gjithë botën. Kisha ndodhet në fshatin Labovë e Kryqit, rreth 20 kilometra në juglindje të qytetit të Gjirokastrës. Me historinë e saj lidhet edhe një kryq i florinjtë i zhdukur në periudhën e regjimit komunist, i cili ruante sipas dëshmive historike në brendësi pjesë të drurit ku u kryqëzua Jezu Krishti, në Jeruzalem.

Kisha e Labovës gjatë periudhës së tranzicionit postkomunist krahas dëmtimeve si objekt ndërtimor pësoi edhe grabitje të ikonave qindravjeçare të cilat nuk janë gjetur ende.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG