Lidhje

Nishani për institucionet gjatë tranzicionit


Presidenti mbledh krerët e institucioneve të pavarura. “Askush nuk duhet të ndihet i sulmuar, dhe për më tepër i brishtë apo lehtësisht i goditshëm”.

Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani i kërkoi sot drejtuesve të institucioneve të pavarura të shtetit të mos ndikohen nga tranzicioni i pushtetit dhe të vazhdojnë përmbushjen e detyrave të tyre. Ai tha se “askush nuk duhet të ndihet i sulmuar, dhe për më tepër i brishtë apo lehtësisht i goditshëm”. Presidenti Nishani deklaroi se reformat strukturore të nisura nuk kanë arsye të ndërpriten apo të qëndrojnë në pritje.

Presidenti Bujar Nishani mblodhi sot në një takim drejtuesit e Gjykatës së Lartë, Prokurorisë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bankës Qëndrore, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Inspektoriatit të Verifikimit të pasurive për të diskutuar rreth funksionimit të tyre në këtë periudhë të kalimit të pushtetit deri në marrjen e tij nga shumica e re e majtë e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.

Presidenti Nishani, thirrje institucioneve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:32 0:00

Presidenti theksoi se përparësitë e kësaj shumice mund të jenë të ndryshme nga ato përcajtuara nga e djathta, por ndërsa funnskionet qeverisëse duhet të jenë të matura, institucionet e pavarura nënvizoi ai nuk duhet të përfshihen nga perceptimi I inercisë së transferimit të pushtetit: “Qeveria dhe Kryeministri i ri mund të kenë pikëpamjet e tyre për raportin që do të vendosin me këto institucione, apo dhe për mënyrat e koordinimit që mund të kenë me ju, por baza e punës së përditshme të këtyre institucioneve është krejtësisht e përcaktuar ligjërisht, e pavarur institucionalisht, e mbi të gjitha duhet t’i përgjigjet zërit të profesionalitetit, që kërkon t’i shërbejë pa reshtje e pa ndërprerje qytetarit, shtetit dhe atdheut”.

Sipas presidentit do të ishte e dëmshme stepja e institucioneve të pavarura: “Në momente të tilla, të tranzitimit të pushtetit politik, stabiliteti dhe qartësia profesionale e institucioneve tuaj merr një rol garantues. Do të ishte e dëmshme dhe kundër-produktive, stepja, apo dhe frika ndaj ndonjë revanshi që mund të mendohet. Kjo gjë s’duhet të ndodhë jo vetëm për dinjitetin profesional dhe shtetëror që ju dhe institucionet tuaja përfaqësojnë, por kryesisht për atë rol të madh të garantit ligjor, ekonomik e kontrollues që institucionet tuaja kanë në shërbim të qytetarit dhe demokracisë shqiptare. Askush nuk duhet të ndihet i sulmuar, dhe për më tepër i brishtë apo lehtësisht i goditshëm”.

Zoti Nishani theksoi gjithashtu se reformat e nisura nuk duhet të ndërpriten: “Reformat strukturore që janë nisur e që janë në vazhdim e sipër, ato që janë të miratuara dhe të bashkërenditura edhe me komunitetin ndërkombëtar, ato që kanë të bëjnë me dixhitalizimin dhe informatizimin e sistemit të drejtësisë dhe prokurorisë, ato që kanë filluar tashmë të japin frytet në transparencën e sistemit dhe sidomos në rritjen e konkurrencës dhe vlerësimit të pjestarëve të sistemit tonë të drejtësisë, nuk kanë asnjë arsye të ndërpriten e të mbeten në pritje”.

Kryeministri i ardhshëm i vendit, kryetari socialist Edi Rama ka zhvilluar takime me disa prej drejtuesve të institucioneve të pavarura përfshirë edhe zotin Nishani. Javën e kaluar ai tha se nuk synonte të përfshinte qeverinë e ardhshme në beteja politike me institucionet e tjera, dhe se synonte bashkëpunimin. Megjithatë ai shprehu shqetësime për disa vendime të fundit të Këshillit të lartë të Drejtësisë të kryesuar nga presidenti Nishani, apo dhe pakënaqësi nga veprimtaria e deritanishme e prokurorisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Deklarimet e tij u cilësuan si një revansh dhe sulme e kërcënime antikushtetuese nga ana e qeverisë së kryeministrit në detyrë Sali Berisha.
XS
SM
MD
LG