Gjatë një vizite që zhvilloi sot në Komunën e Shëngjinit, Presidenti Bujar Nishani nderoi At Zef Pllumin (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.
Në ceremoninë e zhvilluar në prani të autoriteteve vendore, ish-Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Ambasadorit të OSBE-së, Florian Raunig, Presidenti Nishani tha se kishte zgjedhur pikërisht përvjetorin e Lumnimit të Nënë Terezës që, me gjuhën e një dekreti, të shfaqë vlerësimin për klerikun dhe shkrimtarin At Zef Pllumin, këtë shumatore vlerash të historisë së shqiptarëve.
“Kam vendosur që sot, në këtë ceremoni solemne, me gjuhën e një dekreti, i cili mbart të gjithë emocionet e mija përsonale e njerëzore, të shfaq para jush konsideratën time për At Zef Pllumbin. E para ishte fjala, thuhet në Bibël dhe i pari duhet të kishte rrëfimin, në Shqipërinë që i rikthehen Zotit dhe vetvetes. Ai rrëfen për fuqinë shkatërruese të urrejtjes, për dhunën që bëhet pushtet dhe pushtetin e dhunshëm që shndërrohet në tirani. Por njeherësh dhe krahas saj, për dashurinë e shndërruar tani në heroizëm. Nuk mund të rehabilitohet kurrë tirani Enver Hoxha dhe tirania e tij. Tendenca të tilla janë kriminale, provokuese dhe antihistorike”.
Dekorata e Flamurit Kombëtar, që ju akordua pas vdekjes At Zef Pllumbit, shoqërohet me motivacionin: “Klerikut martir, të dënuar me persekutim të përjetshëm nga diktatura, i cili me veprën dhe jetën e tij, mbrojti vlerat e mëdha të fesë, kulturës kombëtare, lirisë dhe dinjitetit njerëzor, të lidhura pazgjidhshmërisht këto me vetëmbrojtjen e atdheut dhe të kombit”.
Shkrimtari dhe kleriku fançeskan At Zef Pllumbi eshte nderuar edhe me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” dhe “Pena e Artë”.