Lidhje

Një kantinë në Kaliforni konkuron me sukses në tregun e verërave


Një kantinë në Kaliforni konkuron me sukses në tregun e verërave
Një kantinë në Kaliforni konkuron me sukses në tregun e verërave

Në Shtetet e Bashkuara ka më shumë se 5 mijë kantina vere. Kalifornia është shteti që prodhon sasinë më të madhe të verës në vend. Këto kantina po marrin emër edhe në tregun botëror. Në reportazhin në vazhdim vizitojmë një kantinë me traditë të gjatë në rajon, e cila u ka rezistuar kohërave duke iu përshtatur ndryshimeve të preferencave të konsumatorëve dhe duke u futur në tregje të reja:

Në kantinën San Antonio pranë qendrës së Los Anxhelosit, ende prodhohen verëra tryeze për tregun e gjerë dhe për familjet imigrante, ashtu siç prodhoheshin 100 vjet më parë.

Këto verëra përfaqësojnë tani vetëm një përqindje të shitjeve. Nënpresidenti Steve Riboli thotë se kantina prodhon gjysmë milion arka verë në vit.

“Afro 50 mijë prej tyre janë verë tradicionale, pra verë tavoline, por një përqindje e madhe e prodhimit janë për verë shisheje të varieteteve të ndryshme, si Kabërnet, Pino Nuar, Shardone, Risling”.

Në një mjedis modern klientët prezantohen me verërat e cilësisë së lartë që prodhohen nga një varietet i caktuar.

Kantina San Antonio është pronë e një familjeje. Babai i Ribolit, Stefano ka punuar këtu kur ishte adoleshent në vitet 1930. Xhaxhai i të atit e themeloi kantinën në vitin 1917 dhe sot është një ndër të paktat në Los Anxhelos, ku dikur kishte plot punishte vere nga artizanë italianë.

Kantina mbijetoi gjatë periudhës së ndalimit të alkoolit nga 1919-1933. Pronarët morën një liçencë për të prodhuar verë për bekimet ceremoniale për kishën katolike.

Që nga ajo kohë, kantina u është përshtatur ndryshimeve në preferenca dhe tregje.

Një pjesë e prodhimit realizohet në këtë objekt historik pranë qendrës së Los Anxhelosit. Arnaud Debons, një ndër prodhuesit, e provon produktin në çdo fazë të fermentimit. Debons, i kualifikuar në Francë, thotë se çdo rajon vreshtash dhe çdo praktikë e veçantë fermentimi rezulton në verë me shije të ndryshme.

“Nuk mund të thuhet ‘në rregull’ apo ‘gabim’ për verën. Merret vendimi për të prodhuar një lloj vere apo një tjetër duke përdorur produkte, fuçi dhe varietete të caktuara rrushi”.

Steve Riboli thotë se një pjesë e kësaj vere do të eksportohet në Kinë dhe pjesë të tjera të Azisë, ku ka plot konsumatorë vere.

“Ne eksportojmë rreth 15-20 për qind të produkteve tona jashtë. Sot Kina është treg shumë i madh”.

Ai thotë se ekziston ende një treg i paprekur tek ata amerikanë që nuk pinë verë kur ulen për të ngrënë. Ai shton se varietetet e reja të verëra spumante mund t’u përshtaten atyre:

“Kemi shumë punë përpara me konsumatorët që sapo kanë filluar të pinë verë këtu në Amerikë. Nga popullata jonë 300 milionëshe, kemi 100 milionë që ose nuk kanë pirë asnjëherë, ose thonë se nuk e pëlqejnë verën”.

Zoti Riboli thotë se për 100 vjetët e ardhshëm, kjo kantinë do të përqafojë më shumë mentalitetin e përshtatjes, së informimit të konsumatorit dhe tregjet globale.

XS
SM
MD
LG