Lidhje

Një program ndihmon gratë pas daljes nga burgu


Më tepër se 1 milion gra amerikane janë nëpër burgje, ose janë liruar me kusht. Por një e treta e tyre kthehen në burg, ngaqë dënohen përsëri, ose shkelin rregulloren e lirimit me kusht. Do t’ju njohim tani me një program që zbatohet në qytetin e Nju Jorkut, “College and Community Fellowship”, përmes të cilit gratë që kanë qenë në burg vazhdojnë kolegjin dhe diplomohen.

Bedford Hill është burgu më i madh i Nju Jorkut dhe i vetmi burg me siguri të lartë për gartë. Më tepër se një e treta e të burgosurave futen në burg, pa ditur lexim në nivelin e shkollës së mesme. Por ndërsa kryejnë dënimin, atyre u jepet mundësia të përfundojnë shkollën e mesme dhe madje edhe të marrin diplomën e kolegjit, në klasa si kjo që po shikoni.

Vivian Nixon ishte për pak kohë në burgun Bedford Hills rreth 15 vjet më parë, e dënuar për fallsifikim çeqesh. Ndërsa po kryente dënimin në një burg tjetër, ajo dëgjoi atje për një program arsimimi për gratë, pas lirimit të tyre nga burgu.

“Gjithmonë kam dashur të vazhdoj universitetin, ishte një nga zhgënjimet e mëdha për mua që nuk munda të përfundoj kolegjin. Pasi kalova disa vjet në burg, mësova një surprizë të bukur, se ekzistonte një organizatë, e cila i ndihmonte gratë që dilnin nga burgu të ndiqnin kolegjin.”

Organizata “College and Community Fellowship, ose CCF, u themelua në vitin 2 mijë.

“Ajo që për mua mungnte dhe që në fakt i mungonte të gjithëve, ishte një organizatë e cila t’i ndihmonte njerëzit të plotësonin ëndërrat e tyre në jetë. Nuk është e mjaftueshme të pranosh një punë në një restorant, apo si pastruese hoteli, apo në rrugët e Nju Jorkut. Ka njerëz, që edhe pse kanë qenë në burg, përsëri kanë dëshira dhe synime dhe organizata jonë ndihmon pikërisht ata ish-të burgosur që duan të ecin në jetë.”

Ndryshe nga programet e tjera për ish-të burgosurit, që përqëndrohen në gjetjen e një pune apo banese, CCF i ndihmon gratë e dala nga burgu të vazhdojnë të arsimohen.

Sot Vivien Nixon drejton organizatën CCF, që kujdeset për anëtaret e programit, si Mia Savage dhe i ndihmon ato të aplikojnë për t’u pranuar në kolegj, të marrin ndihmë financiare, dhe të pranohen në kolegj...

“Ishte një procedurë shumë e thjeshtë, më pranuan në kolegjin La Guardia dhe tani unë jam duke vazhduar semestrin e dytë...”

Disa gra të tjera, si Selina Fulford, vazhdojnë të ndjekin edhe studimet pas universitare...

“Unë jam duke vazhduar studimet për masterin tim të dytë dhe më pas do të vazhdoj studimin për doktoraturë. Tani jam asistente e profesorit në kolegjin New Rochell, prandaj cilido që shkon në këtë kolegj dhe ka ndevojë për ndihmë, të vijë të më takojë!”

Vivian Nixon thotë se të 270 pjesëmarrësit në program kanë të njëjtin synim: të ndërtojnë një jetë të re dhe të kapërcejnë ndjenjën e turpit për të kaluarën e tyre.

“Ne i pranojmë të gjithë ata që duan të bëhen anëtarë të programit dhe shfrytëzojmë pikat e tyre të forta, në mënyrë që t’i bëjmë këto gra të rifitojnë besimin tek vetja”.

Vivian Nixon beson se shoqëria e vlerëson programin CCF, sepse anëtarët e saj nuk kthehen më në burg. Ajo mendon se vlera e programit është se i ndihmon njerëzit të fillojnë përsëri të ëndërrojnë, për veten dhe fëmijët e tyre.

XS
SM
MD
LG