Lidhje

Një teknikë e re e skanimit të trurit mund të ndihmojë në zbulimin e plagëve në tru


Një teknikë e re e skanimit të trurit mund të ndihmojë në zbulimin e plagëve në tru
Një teknikë e re e skanimit të trurit mund të ndihmojë në zbulimin e plagëve në tru

Studiuesit po përdorin teknika të sofistikuara skanimi për të ndihmuar në diagnostikimin e lëndimeve në tru të cilat nuk mund të dallohen duke përdorur teknikat e zakonshme. Ushtarët shpesh marrin plagë traumatike në tru si rezultat i shpërthimeve të fuqishme në frontet e luftës. Shkencëtarët shpresojnë se teknika e re do t’i ndihmojë doktorët të zbulojnë dhe trajtojnë shumë plagë të trurit të cilat tani janë të pashërueshme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jessica Berman sjell hollësi.

Afërsisht 320 mijë anëtarë të personelit ushtarak në Irak dhe Afganistan kanë vuajtur nga lëndimet në tru. Shpesh këto janë klasifikuar si plagë të lehta dhe nuk dallohen gjatë skanimit të trurit.

Por në një studim të ri, një teknikë e sofistikuar e skanimit të trurit e mund të zbulojë tani anomali në indet që gjenden në materien e bardhë të trurit të ushtarëve të cilët kanë marrë plagë traumatike në tru si pasojë e shpërthimeve ose TBI. Materia e bardhë e trurit mundëson komunikimin mes qelizave nervore.

Studimi u krye në Fakultetin e Mjekësisë të universitetit të Uashingtonit në St. Louis dhe në Qendrën Mjekësore Rajonale të Landstuhl-it në Gjermani. Në këtë studim u përfshinë 63 ushtarë të cilët janë prekur nga lëndimet si pasojë e shpërthimeve ose TBI dhe lëndimeve të tjera si rrëzimi, lëndimet e marra nga makinat ose goditjet nga objekte të forta. Në studim morën pjesë edhe 21 anëtarë të personelit ushtarak të cilët janë plagosur nga shpërthimet por që nuk janë diagnostikuar me TBI.

Studiuesja e neurologjisë në universitetin e Uashingtonit Christine MacDonald thotë se teknika e re e skanimit u mundëson shkencëtarëve të shohin lëvizjen përmes indeve të lënduara të trurit. Kjo dukuri nuk mund të dallohej përmes teknikave tjera të skanimit. Zonja Macdonald thotë se studiuesit diktuan praninë e ujit në materien e bardhë të trurit në skanimet fillestare që u bënë në Gjermani afërsisht 14 ditë pas plagosjes. Ajo thotë se studiuesit vunë re ndryshime të vogla në rrjedhën e ujit në skanimet pasuese deri 12 muaj më vonë, pas kthimit të ushtarëve në St. Louis.

“Përhapja e ujit është në përputhje me atë që pritet nga plagët me kalimin e kohës. Në raste tjera mund të thuhet se plaga ka ekzistuar që më herët”.

Studiuesit kanë parë anomali në materien e bardhë të trurit tek 18 nga 63 pacientëve të cilët kanë patur goditje në tru. Kjo nuk u dallua tek 21 pacientët tjerë të cilët kishin lëndime tjera.

Diagnostikimi i TBI-së është i debatueshëm sepse ekspertët nuk janë të sigurtë nëse simptomat që pasojnë lëndimet e lehta traumatike të trurit janë rezultat i çrregullimit të funksionimit të trurit, ndryshimeve strukturore, faktorëve psikologjikë, apo si rezultat i një kombinimi të këtyre tre elementëve.

Zonja MacDonald thotë se studimet vazhdojnë të eksplorojnë nëse teknika e re e skanimit të trurit mund të ndihmojë në zbulimin e burimit të efekteve të përhershme të lëndimeve traumatike të trurit.

XS
SM
MD
LG