Lidhje

Nju Jork, hetuesit ekzekutojnë kontroll banese për Rudi Giulianin


FILE - Rudy Giuliani, personal attorney for then-President Donald Trump

Hetuesit federalë ekzekutuan të mërkurën në Manhatan një urdhër kërkimi në apartamentin e Rudolph Giulianit, ish-kryetar i bashkisë së New York-ut dhe avokat personal i ish-Presidentit Donald Trump, ndërsa hetojnë rreth marrëdhënieve të tij të biznesit me Ukrainën.

Një avokat i zotit Giuliani, Bob Costello, konfirmoi se ishte ekzekutuar një urdhër kërkimi. Midis sendeve të sekuestruara kishte pajisje elektronike, sipas gazetës New York Times.

Prokurorët federalë në Manhatan po hetojnë rreth veprimtarive të zotit Giuliani në Ukrainë.

Zoti Giuliani mohon se është marrë me veprimtari të paligjshme lobimi.

Megjithëse ekzekutimi i urdhrit të kontrollit nuk do të thotë se Giuliani ka kryer vepër penale, ai sinjalizon se hetuesit kanë bindur një gjyqtar për faktin se ata besojnë që ka ndodhur një veprim kriminal dhe se ekzekutimi i urdhërit mund të zbulonte prova për këtë qëllim.

"Ky është një moment i rëndësishëm në hetim," tha Jessica Levinson, profesore në Fakultetin e Drejtësisë Loyola të Los Anxhelosit.

"Është diçka me rëndësi të ekzekutosh një urdhër kërkimi që lidhet me një avokat për shkak të çështjeve të privilegjit avokat-klient," tha ajo. "Aq më tepër ekzekutimi i një urdhër-kërkimi ndaj një avokati që ka punuar për ish-presidentin."

Giuliani, 76-vjeçar, filloi të përfaqësonte ish-Presidentin Trump në prill 2018 në lidhje me hetimin e ish-Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-s.

Roli i Giulianit në Uashington ishte kompleks: ish-kryebashkiaku shpesh e shpallte veten konsulent biznesi dhe avokat privat edhe pse gëzonte qasje të jashtëzakonshme në rangjet e larta të pushtetit.

Zoti Giuliani përfundimisht u bë një figurë kryesore në çështjen nëse Presidenti Trump abuzoi me detyrën për përfitime personale politike në marrëdhëniet me Ukrainën.

Puna e tij përfshiu një hetim para zgjedhjeve të vitit 2020 mbi marrëdhëniet e zotit Joe Biden dhe djalit të tij Hunter në Ukrainë. Dy ish bashkëpunëtorët e zotit Giuliani, Lev Parnas dhe Igor Fruman, janë akuzuar për shkelje financiare gjatë fushatës dhe kundravajtje të tjera.

Zoti Giuliani fitoi famë në vitet 1980 si avokat në Manhatan, ku ai çoi në burgimin e krerëve të pesë familjeve të Mafias në Nju Jork.

Më vonë ai mori mjaft vlerësime si "Kryetari i Bashkisë së Amerikës" për përpjekjet e tij për të ndihmuar Qytetin e Nju Jorkut të rimëkëmbej nga sulmet e 11 shtatorit, 2001. Zoti Giuliani kandidoi pa sukses për emërimin presidencial republikan në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG