Lidhje

Nju Jorku, 10 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit 2001


Nju Jorku, 10 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit 2001
Nju Jorku, 10 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit 2001

Në dekadën që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit, qyteti i Nju Jorkut është përballur me kërcënimin e sulmeve të tjera terroriste si dhe probleme ekonomike. Megjithatë, qyteti vazhdon të rindërtohet, duke tërhequr banorë të rinj dhe më shumë se 40 milionë turistë çdo vit. Banorët dhe vetë qyteti i Nju Jorkut kanë marrë me kohë emër si një popullatë dhe një qytet vital dhe i pathyeshëm:

Në shumë aspekte, Nju Jorku është njësoj si 10 vjet më parë. Sheshi Times Square është plot njerëz e makina. Bulevardi Fifth Avenue mbetet po aq tërheqës si më parë. Dhe Statuja e Lirisë ofron një imazh mikpritës në portin e Nju Jorkut.

Por ajo që ka ndryshuar është hapësira që u hap në horizont pas rrëzimit të kullave binjake.

Njujorkezët Xhen Xhefi dhe Adam Sills, të cilët kanë një djalë 1 vjeçar, Izakun, thonë se rrallë herë mendojnë për sulmet, megjithëse Nju Jorku mbetet objekt sulmesh terroriste. Ata e shohin të ardhmen e tyre në një lagje të përzier etnikisht në Bruklin.

Më pëlqen që jam pjesë e këtij komuniteti, e këtij qyteti. Më pëlqejnë njerëzit. E dua shumë larminë dhe vitalitetin këtu. Kënaqem kur dal rrugës dhe dëgjoj 4 gjuhë të ndryshme.

Adam Sills shprehet krenar për faktin që njujorkezët e morën shpejt veten pas sulmeve.

Një gjë e tillë e ritheksoi imazhin që qyteti ka pasur gjithmonë si një qytet i fortë dhe vital, që është në gjendje të përballojë sfida të mëdha, pavarësisht se çfarë e godet. Njerëzit kanë një aftësi të madhe për ta përballuar goditjen, por edhe për ta kapërcyer në mënyrë triumfuese.

Ajo që është interesante është fakti se njujorkezët reaguan krejt ndryshe ndaj sulmeve se pjesa tjetër e vendit.

Profesori i Psikologjisë në Universitetin Columbia, Xhorxh Bonano studion dhimbjen dhe traumën kolektive pas një katastrofe. Ai thotë se sipas studimeve, njujorkezët e morën veten më shpejt se pjesa tjetër e vendit:

Krahasuar me pjesën tjetër të vendit, ankthi dhe shqetësimi i përgjithshëm vazhdoi në nivel të lartë në pjesë të tjera të vendit pas sulmeve të 11 shtatorit. Por në Nju Jork nuk ndodhi një gjë e tillë.

Por ka edhe njujorkezë që ende nuk e kanë kapërcyer goditjen emocionale. Zhutelka Sepejtu punon në një firmë ligjore në Nju Jork:

Kur tregojnë pamje nga 11 shtatori më vjen përsëri për të qarë, zemra më çahet. Edhe tani që flas për këtë fakt, më vjen për të qarë pasi kam shumë kujtime. Ishte një moment shumë i vështirë.

Ajo jeton me familjen në Bronks. Sepejtu thotë se i pëlqen shumë Nju Jorku, por nuk ndjehet e sigurtë. Ajo shqetësohet sidomos për vajzën 13 vjeçare Aliksandi:

Dua të vendosem në një qytet të qetë, që nuk njihet shumë, ku s’ka metro apo grataçela, pasi më duket se Nju Jorku tërheq shumë vëmendje, veçanërisht në sytë e terroristëve.

Zhutelka shqetësohet sidomos për sigurinë e transportit publik. Ajo do të preferonte që Aliksandi të mos kishte nevojë të udhëtonte me metro për në shkollë:

Shqetësohem shumë se mund t’i ndodhë diçka dhe nuk do t’i jem pranë për ta mbrojtur.

Ka të tjerë që e shohin pa vend këtë shqetësim. Adam Sills thotë se pasi u martua dhe u bë baba, filloi të ndjehej edhe më i lidhur me Nju Jorkun:

Ke të gjithë botën të përqendruar atje dhe fakti që po ngre familjen tënde në këtë qytet, është pak a shumë mënyra më e mirë për të deklaruar “Mendoj se ky është një vend i veçantë, një vend i rëndësishëm, saqë të dua të ngre familje dhe të rris fëmijë këtu.

Ka plot të tjerë si Adami. Pritet që një milion njerëz të tjerë të vendosen në Nju Jork gjatë 20 vjetëve të ardhshëm. Ata do të bëhen pjesë e një qyteti që jeton në të sotmen dhe të ardhmen, shumë më tepër se në të kaluarën.

XS
SM
MD
LG