Lidhje

Njut Gingriç shpall kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012


Former House Speaker Newt Gingrich is interviewed on the "Fox & friends" television program in New York Tuesday, May 18, 2010. (AP Photo/Richard Drew)
Former House Speaker Newt Gingrich is interviewed on the "Fox & friends" television program in New York Tuesday, May 18, 2010. (AP Photo/Richard Drew)

Ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Njut Gingriç, nis zyrtarisht këtë javë konkurrimin për president të Shteteve të Bashkuara. Zoti Gingriç do të njoftojë planet e tij përmes faqeve të mediave shoqërore Facebook dhe Twitter ndërsa fillon të ndizet gara për kandidatin presidencial të Partisë Republikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, , sjell hollësi nga Uashingtoni.

Njut Gingriç u shqua në mbarë vendin në vitet ‘90, kur udhëhoqi fitoret e mëdha të republikanëve, të cilët më 1994 morën kontrollin e të dy dhomave të Kongresit për herë të parë në 40 vjet.

Zoti Gingriç u zgjodh kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, duke u bërë kundërshtari kryesor i Presidentit Bill Klinton, ndonëse të dy nganjëherë gjetën edhe gjuhë të përbashkët për të punuar rreth çështjeve si reforma sociale.

Zoti Gingriç dha dorëheqje nga Kongresi në vitin 1999 dhe qysh atëherë është përqendruar në shkrimin e librave dhe përkrahjen e pikëpamjeve konservatore, sidomos në çështjet e politikës së jashtme.

Zoti Gingriç kritikoi qasjen e Presidentit Barak Obama në politikën e jashtme gjatë një fjalimi para disa muajsh në një konferencë të udhëheqësve konservatorë në Uashington.

“Administrata e Presidentit Obama e ka gabim rreth terrorizmit, gabim rreth Iranit, gabim rreth Vëllazërisë Myslimane, gabim rreth Hezbollahut dhe ta kesh gabim në aq shumë çështje të sigurisë kombëtare është jashtëzakonisht e rrezikshme”.

Anketat e opinionit publik tregojnë se zoti Gingriç mbetet figurë polarizuese sikurse ishte edhe në vitet ‘90. Zoti Gingriç vlerësohet zakonisht ndër katër apo pesë pretendentët kryesorë republikanë për president, por publiku në tërësi është i ndarë. Në një sondazh nga Reuters dhe Ipsos, zotin Gingriç e shihnin me sy të mirë 35 përqind e të anketuarve, ndërsa 38 përqind kishin mendim të pavolitshëm për të.

Zoti Gingriç është popullor ndër konservatorët për natyrën e tij luftarake dhe pikëpamjet në politikën e jashtme. Por veprimtarët me pikëpamje konservatore për shoqërinë ngurrojnë për ta mbështtur atë për shkak të pohimeve të zotit Gingriç për pabesi martesore dhe dështimin e dy martesave të tij.

Zoti Gingriç hyn në një garë republikane që po zhvillohet tejet ngadalë dhe ka shumë pak pretendentë që ose po shqyrtojnë mundësinë e garimit për Shtëpinë e Bardhë ose kanë ndërmarrë hapa fillestarë për të provuar kandidimin.

Analistët politikë thonë se nuk ka kryesues të qartë ndër kandidatët e mundshëm republikanë, ndonëse ish-guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, vazhdon të mbajë epërsi modeste në shumicën e anketave të deritanishme.

Republikanët e tjerë që kanë marrë hapat e parë drejt kandidimit përfshijnë ish-guvernatorin e Minesotës, Tim Pëlenti, ish-senatorin nga Pensilvania, Rik Santorum, ish-guvernatorin e Nju Meksikos, Geri Xhonson, ligjvenësin nga Teksasi, Ron Pol, dhe afaristin nga Xhorxhia, Herman Kejn, i vetmi afrikano-amerikan që ka shprehur interesim për pjesëmarrje deri tani.

Ka edhe një grup, që thuhet se po shqyrton çështjen e kandidimit, ku bëjnë pjesë guvernatori i Indianës, Miç Daniels, ligjvenësja nga Minesota, Mishel Bakman, dhe ish-guvernatori i shtetit Jutah, Xhon Hantsmën, i cili shërbeu deri së voni si ambasador i Presidentit Obama në Kinë. Përveç kësaj, biznesmeni nga Nju Jorku, Donald Trump, thotë se do të vendosë rreth kandidimit për president muajin e ardhshëm.

Analistët politikë thonë se gara republikane po zhvillohet ngadalë për vitin 2012, veçanërisht në krahasim me katër vjet më parë kur disa kandidatë veçse kishin shpallur pjesëmarrjen në garë për emërimin e partisë. Met Dallek ligjëron politikë në degën e Uashingtonit të Universitetit të Kalifornisë.

“Nuk është interesimi që prisnim të shikonim, sidomos duke pasur parasysh sesi republikanët për këto dyzet vjet kanë identifikuar një kandidat kryesor qysh në fillim të garës dhe e kanë zgjedhur atë si kandidat të partisë në zgjedhjet presidenciale”.

Më shumë pretendentë pritet të njoftojnë zyrtarisht planet e tyre gjatë javëve në vijim. Por deri tani nuk ka shenja se dy ish-guvernatorët republikanë me përkrahës besnikë, Majk Hakëbi nga Arkansa dhe Sarah Pejlin e Alaskës, po marrin hapa në mënyrë aktive drejt kandidimit për Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG