Lidhje

Pheniani thotë se ka bërë provë me bombë me hidrogjen


Koreja e Veriut tha se ka kryer një provë “të suksesshnme” të një bombë me hidrogjen, një lëvizje që shkaktoi kritika të ashpra nga fuqitë botërore.

Shtëpia e Bardhë reagoi më vonë, duke thënë se analizat e para nuk përputhen me pretendimet e Penianit se fjala është për një bombë të suksesshme me hidrogjen.

Megjithatë, tha Shtëpia e Bardhë, çdo provë bërthamore do të ishte shkelje e hapur e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Lajmërimi në televizionin shtetëror të Koresë së Veriut e cilësoi provën e pretenduar me bombë me hidrogjen një çështje vetëmbrojtjeje për të ruajtur sovranitetin e vendit dhe disa herë iu referua në mënyrë kritike Shteteve të Bashkuara.

Shpërthimi vjen më pak se një muaj pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un shprehu pretendimin se vendi I tij kishte zhvilluar një bombë me hidrogjen, që është shumë më e fuqishme sesa një bombë atomike.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, e hodhën me shpejtësi poshtë pretendimin e tij dhe sot zyrtarë koreano-jugorë të zbulimit dhe ekspertë bërthamorë thane se duke pasur parasysh përmasat e shpërthimit, ata kishin dyshime serioze se bëhej fjalë për një bombë të vërtetë me hidrogjen.

Koreja e Veriut ka kryer tre prova te tjera bërthamore më parë, në vitet 2006, 2009 dhe 2013. Të gjitha janë bërë në Punggye-ri, e njëjta zonë ku disa agjenci monitoruese diktuan aktivitet sizmik të shkaktuar nga aktivitet njerëzor sot në mëngjes.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë sot një takim urgjent lidhur me zhvillimet e fundit. Të pestë anëtarët e përhershëm të Këshillit, SHBA, Britania, Kina, Franca dhe Rusia e dënuan provën e sotme.

Kina i bëri thirrje aleatit koreano-verior që të ndalë verpimet që “keqësojnë gjendjen në gadishullin Korean”, ndërsa shefja e poliitkës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini i bëri thirrje Koresë së Veriut që “të ndalë sjelljen e paligjshme dhe të rrezikshme” dhe të hyjë në dialog me komunitetin ndërkombëtar.

Pas proves, Koreja e Jugut dhe Japonia mbajtën takime urgjente të këshilleve të tyre të sigurisë.

XS
SM
MD
LG