Lidhje

Pheniani tërheq ftesën për Sekretarin Ban


Koreja e Veriut ka anuluar pa pritur ftesën ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, për të vizituar shtetin e izoluar. Zoti Ban, i cili ndodhet në një vizitë pesë ditore në Korenë e Jugut, tha të mërkurën në Seul se autoritetet e Phenianit i kishin transmetuar vendimin përmes rrugëve diplomatike.

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, kishte në plan që të enjten të vizitonte Kompleksin Idustrial Kaesong që shtrihet në veri të zonën së çmilitarizuar e cila ndan Korenë e Veriut me Korenë e Jugut.

“Nuk më janë dhënë shpjegime për ndryshimet e minutës së fundit. Vendimi nga Pheniani është për të ardhur keq. Megjithatë, si shef i OKB-së, nuk do të pakësoj përpjekjet për të nxitur Korenë e Veriut që të punojë me komunitetin ndërkombëtar për paqe dhe stabilitet në Gadishullin Korean dhe më tej.”

Vizita e planifikuar e zotit Ban në fabrikën e përbashkët, do të shënonte herën e parë në më shumë se 20 vjet, që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara vizintonte Korenë e Veriut.

Të martën, kur zoti Ban e njoftoi vizitën në anën veriore, ai e quajti kompleksin një model që i nxjerr të dy Koretë fituese. Kreu i fundit i OKB-së që vizitoi Korenë e Veriut ishte Boutros Boutros-Ghali, i cili kapërceu zonën e çmilitarizuar në vitin 1993.

Ministria jug-koreane e Unifikimit tha të mërkurën se ishte për të ardhur keq anulimi i ftesës nga Pheniani.

XS
SM
MD
LG