Lidhje

Mbërrijnë në SHBA amerikanët e liruar


Dy shtetasit amerikanë që u liruan nga Korea e Veriut, mbërritën në Shtetet e Bashkuara. Kenneth Bae dhe Matthew Todd Miller ishin duke vuajtur dënime të gjata me burg, kur Drejtori i Zbulimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, James Clapper, shkoi në Korenë e Veriut në përpjekje për të siguruar lirimin e tyre.

Bae u prit nga nëna e tij, Myunghee Bae, dhe të afërmit në një bazë ushtarake në shtetin e Uashingtonit, në bregdetin amerikan të Paqësorit.

Bae ishte në burg që në vitin 2012, i dënuar për aktivitete anti-qeveritare në kohën kur ishte duke drejtuar një grup turistësh.

I pyetur se si ndjehet, Bae tha se ai është duke e marrë veten dhe se i është shumë mirënjohës Presidentit Obama dhe shumë të tjerëve.

“Dua thjesht t’ju falenderoj të gjithëve që më mbështet dhe më mbajtët moralin lart; që nuk e harruat në të njëjtën kohë popullin e Koresë së Veriut. Faleminderit gjithashtu dhe për mbështetjen për familjen time.”

Edhe Miller u prit nga familja e tij. Ai ishte në burg që në muajin prill pasi grisi vizën e tij turistike në aeroportin Pyongyang dhe kërkoi azil.

Nuk janë të qarta rrethanat e sakta të lirimit të amerikanëve apo se më kë u takua zoti Clapper.

Përpara kthimit të tyre në atdhe, Presidenti Obama foli rreth lirimit të tyre.

Mendoj se është një ditë e mrekullueshme për ta dhe për familjet e tyre. Ne jemi sigurisht mirënjohës për kthimin e tyre, dhe e vlerësoj punën e shkëlqyer të zotit Clapper gjatë këtij misioni sfidues.”

Sekretari i Shtetit, John Kerry e quajti lirimin e tyre “një gjest humanitar” dhe tha se zyrtarët amerikanë kishin punuar nga të gjitha drejtimet për të mundësuar këtë gjë. Nga Nju Jorku, një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, u shpreh i lehtësuar për lirimin e dy amerikanëve dhe se ka shpresa për shfrytëzuar këtë moment në dobi të paqes dhe sigurisë në gadishullin korean.

Shtetet e Bashkuara falenderuan gjithashtu Suedinë që përfaqëson interesat amerikane në Korenë e Veriut, dhe ripërsëritën paralajmërimin ndaj qytetarë amerikanë për të mos udhëtuar drejt Koresë së Veriut.

Lirimi i Miller dhe Bae pasoi tre javë më pas lirimit të papritur të një tjetër amerikani të burgosur në Korenë e Veriut, Jeffrey Fowle.

Fowle ishte burgosur pasi kishte lënë një Bibël në një klub nate.

XS
SM
MD
LG