Lidhje

Ceremonitë në Normandi, ditë kujtimesh dhe nderimi


Ndërkohë që figura botërore u mblodhën dje në Normandi për të kujtuar 70 vjetorin e ndërhyrjes së Forcave Aleate, mijëra vizitorë nga e gjithë bota kishin ardhur për ceremonitë përkujtimore. Shumë prej tyre kishin ardhur me makina dhe veshje të periudhës së Luftës II Botërore. Korrespondenti Henry Ridgewell njofton nga Normania mbi festimet dhe ceremonitë përkujtimore që u zhvilluan:

Këngë të vjetra të periudhës së luftës gjëmojnë në sheshin e qytetit Carentan, ndërkohë që vizitorët shijojnë motin e bukur të verës. Sot ky qytet i vogël është në paqe, por 70 vjet më parë përjetoi luftimet e përgjakshme të Betejës së Normandisë.

Parashutistë të Divizionit të 101 Amerikan zbritën në zonë dhe luftuan shtëpi më shtëpi kundër trupave naziste, duke hapur një front të gjerë për trupat aleate në brigjet jugore të Francës.

Këtë javë ky qytet i vogël organizoi disa nga aktivitetet më të bujshme. Në një makinë të ushtrisë amerikane, të veshur me uniformën e forcave amerikane të periudhës së Luftës II Botërore, Frank Ducros me disa shokë kanë udhëtuar 1400 km për të ardhur në këtë pikë të Francës.

Ai thotë se e ka pasur ëndërr të vinte në një prej festimeve vjetore me rastin e zbarkimit në Normandi. Ai shpjegon se është përgatitur për këtë ditë prej tre vjetësh dhe se objektet historike filloi t’i grumbullonte që 10 vjet më parë, ndër të cilat çizmet, uniformën, pushkën si dhe xhipsin ushtarak.

Në gjirin e qytetit, mjete amfibe të periudhës së luftës, përfshirë një avion të përdorur në brigjet jugore të Francës gjatë zbarkimit të Forcave Aleate, rikrijuan operacionin ushtarak.

Më tutje në perëndim ndodhet Ura Pegasus– një pikë strategjike për kapërcimin e kanalit , ku u shpalosën ngjarje të paharruara 70 vjet më parë. Në orët e para të zbarkimit, pjesëtarë të Divizionit të Gjashtë Britanik zbritën në brigjet e Normandisë dhe arritën të bllokojnë pikën e kalimit, duke parandaluar një kundërpërgjigje nga nazistët.

Disa mjete të marinës ushtarake britanike vizituan urën Pegasus këtë javë. Në bordin e tyre, ndërkohë që mjetet i afroheshin urës, ekuipazhi nderoi kujtimin e ushtarëve që luftuan 70 vjet më parë si dhe spektatorët që qëndronin në breg. Ndër ta ishte edhe Les Reeves, i cili 70 vjet më parë luftonte në radhët e Njësive të Blinduara Mbretërore. Vetë Reeves komandoi një tank që hyri në plazhin Juno në ditën e zbarkimit.

"Kur zbarkuam, ishim nën ujë. Si rezultat periskopi në tank nuk kapte asnjë pamje, vetëm ujë”.

Ajo thotë se të gjitha këto aktivitete janë shumë emocionuese. Dua t’i mësoj nipit rëndësinë e asaj dite, thotë ajo.

Në të gjithë Normandinë, kampime të stilit ushtarak janë ngritur në fshatra e sheshe qendrore për vizitorët. 70 vjetori ka tërhequr një ushtri entuziastësh të Luftës II Botërore me veshje e armatime të asaj periudhe. Banorët lokalë i kanë pritur krahë-hapur. Lidhjet e miqësisë të formuara 70 vjet më parë në betejë, mbeten të forta ende në ditët tona.
XS
SM
MD
LG