Zyrtarët amerikanë dhe ata të Koresë së Jugut thanë se një raketë e Koresë së Veriut shpërtheu sot gjatë lëshimit. Ky konsiderohet një dështim i rëndësishëm, ndërkohë që një ndër aeroplanmbajtëset më të mëdha amerikane po i afrohet Gadishullit Korean.
Sipas Komandës amerikane të Paqësorit, raketa shpërtheu pothuajse menjëherë sapo u lëshua pranë bazës së nëndetëseve Sinpo në bregun lindor të vendit.
Nënpresidenti amerikan Mike Pence, i cili mbërriti sot në Korenë e Jugut foli për tensionet në rritje rreth programit bërthamor dhe të raketave të Koresë së Veriut. Nënpresidenti Pence i bëri komentet gjatë një takimi me ushtarakët amerikanë të vendosur në bazën amerikane në Yongsan:
“Provokimi i mëngjesit të sotshëm nga Korea e Veriut është vetëm një tjetër kujtesë për rreziqet me të cilat ju përballeni çdo ditë në mbrojtje të lirisë së popullit të Koresë së Jugut dhe në mbrojtje të Amerikës në këtë pjesë të globit. Gatishmëria juaj për të shërbyer, për të qëndruar pa frikë është një frymëzim për vendin dhe për botën.”
Në një deklaratë të publikuar pas lëshimit të raketës nga Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis thuhet se Presidenti Trump dhe ekipi i tij ushtarak janë plotësisht të mirëinformuar për lëshimin e dështuar të raketës dhe se Presidenti nuk ka komente të mëtejshme në këtë pikë.
Korea e Veriut e zhvilloi testin në shenjë sfidimi ndaj paralajmërimeve të shtuara amerikane se do të ketë pasoja serioze ndaj provokimeve të tilla, përfshirë edhe një përgjigje të mundshme ushtarake.
Raketa e sotme mendohet se nuk ka qenë e llojit të raketave balistike ndërkontinentale. Presidenti Trump ka paralajmëruar se nuk do të tolerohen prova me raketa balistike ndërkontinentale. Provat me raketa balistike ndërkontinentale nga Korea e Veriut shihen si përpjekje të Phenianit për të avancuar teknologjinë raketore me rreze të gjatë veprimi, gjë që mund të kërcënojë drejtpërsëdrejti sigurinë territoriale të Shteteve të Bashkuara.
Facebook Forum