Lidhje

Thirrje për më shumë sanksione ndaj Phenianit


Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Koresë së Jugut dhe Japonisë ranë dakord të premten për të nxitur Kombet e Bashkuara të shpejtojnë zbatimin e sanksioneve kundër Koresë së Veriut pas lëshimit të raketës balistike ndërkontinentale në 4 korrik.

Sipas një bisede të zhvilluar mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit të Koresë së Jugut Moon-Jae-in dhe kryeministrit japonez Shinzo Abe në samitin e G-20, të tre udhëheqësit i kërkojnë bashkësisë ndërkombëtare që të zbatojë me shpejtësi rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me qëllim ndëshkimin e Koresë së Veriut.

Udhëheqësit rikonfirmuan angazhimin e tyre për çnuklearizimin e Koresë së Veriut dhe i bënë thirrje vendeve në kufi me të, që të ndihmojnë për të bindur Korenë e Veriut të ndalë kërcënimin e vendeve të tjera dhe programin e raketave balistike.

Takimi vjen dy ditë pasi ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley paralajmëroi se provat me raketa të Koresë së Veriut "po e mbyllnin me shpejtësi mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike". Ajo tha se "në ditët e ardhshme", SHBA mund të propozojnë sanksione të reja kundër këtij vendi.

Sipas zyrtarëve amerikanë, ndër sanksionet e reja në shqyrtim janë: kufizimi në furnizimin me naftë dhe të tjera produkte energjie për programet ushtarake dhe atë të armëve të Phenianit, kontrolle më të rrepta të trafikut ajror dhe detar të Koresë së Veriut dhe lëvizje të mëtejshme për të ngarkuar me përgjegjësi zyrtarë të lartë të regjimit, për mosbindjen e vendit ndaj kërkesave ndërkombëtare për të mbyllur programin e armëve bërthamore.

Përveç kësaj ambasadorja Haley tha se Uashingtoni do të ishte i gatshëm të ndërpriste mardhëniet tregtare me vendet që shkelin rezolutat e Kombeve të Bashkuara, që ndalojnë tregtinë me Korenë e Veriut.

Të martën, Koreja e Veriut nisi raketën e parë balistike ndërkontinentale, plotësuar me një pasjisje që do t’i jepte mundësinë për mbushje bërthamore të saj.

Sipas vlerësimit të zyrtarëve ushtarakë amerikanë raketa mund të përshkrojë një distancë prej 5,500 kilometrash, duke arritur potencialisht pjesë të Shteteve të Bashkuara në veri-perëndim.

Të enjten zoti Trump tha se ishte i përgatitur të bëjë "disa gjëra, që i cilësoi, mjaft të forta" për të ndalur ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut.

"Ata po sillen në një mënyrë shumë, shumë të rrezikshme dhe do të duhet të bëhet diçka. Ka pasoja për sjelljen e tyre shumë shumë, të keqe”, tha presidenti amerikan Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG