Ministri norvegjez i mbrojtjes tha të hënën se vendi i tij posedon dëshmi elektronike se forcat ruse kanë ndërprerë sinjalet e sistemit të pozicionimit global (GPS) gjatë manovrave të fundit të NATO-s. Ai tha gjithashtu se ka kërkuar shpjegime nga Rusia, fqinji lindor i Norvegjisë.
Si Finlanda edhe Norvegjia thanë në nëntor se Rusia mund të ketë ndërprerë qëllimisht sinjalet GPS para dhe gjatë manovrave ushtarake perëndimore, gjë që ndikon gjithashtu tek trafiku ajror civil në Arktik.
Të dy vendet protestuan kundër Rusisë, e cila i hodhi poshtë akuzat.
"Rusia na kërkoi t’i jepnim prova dhe ne i dhamë prova," tha ministri norvegjez i Mbrojtjes Frank Bakke-Jensen për gazetarët. Ai shtoi se provat kishin të bënin me matjet elektronike që tregonin se sinjalei ishin zhurmuar.
I pyetur nëse Rusia mund ta kishte vënë Norvegjinë në shënjestër qëllimisht, ministri tha: "Ata po i bënin manovrat shumë afër kufirit dhe e dinin se kjo do të ndikonte në zonat në anën tjeter."
Finlanda nuk është anëtare e NATO-s, por vitin e kaluar mori pjesë në cilësinë e aleates në stërvitjen më të madhe të Aleancës. Manovrat e NATO-s ishin më të mëdhatë që ajo zhvillonte në disa dekada dhe përfshinin forca nga 31 vende në një zonë që shtrihej nga Deti Baltik në Islandë.
Facebook Forum